Lajme

Ekuipazhi i Qantas lejohet të mbajë këpucë të sheshta apo grim paçka gjinisë


Ekuipazhi i kabinës së Qantas do të jetë në gjendje të heqë takat e larta për t’i zëvendësuar me të sheshta, të zgjasë flokët dhe të zgjedhë të vendosë grim pavarësisht nga gjinia.

Një lëvizje që bëhet për herë të parë në historinë shekullore të linjës ajrore.

Dhe vjen si përgjigje ndaj zhgënjimeve nga stafi, modernizimit të vendeve të punës dhe zhvillimit të pritjeve të klientëve.

Uniformat e Qantas nuk kanë ndryshuar, por përcaktimet e uniformave “mashkull” dhe “femër” janë hequr.

Femrat, që më parë pritej të mbanin taka të larta në fluturimet e gjata, kanë kërkuar të veshin këpucë të sheshta më të rehatshme dhe praktike.

Po ashtu pjesëtarë meshkuj të kabinës kanë shprehur dëshirën për të vendosur makeup.

“Këto ndryshime do ta bëjnë veshjen e uniformës tonë më të rehatshme dhe praktike”, ka thënë zëdhënësja.

Në ndryshimet e përfshira për të gjithë stafin është opsioni i veshjes së këpucëve të sheshta me uniforma, si dhe mbajtja e flokëve të gjata me bisht apo topuz.

Tani, të gjithë punonjësit mund të mbajnë të njëjtat bizhuteri, duke përfshirë orët dhe vathët.

Po ashtu punonjësit do të kenë zgjedhjen nëse do të vendosin grim apo jo, megjithëse tatuazhet ende duhet të fshihen.

“Përditësimi nuk e ndryshon uniformën tonë, por modernizon mënyrën se si punonjësit e veshin atë në përputhje me reagimet e punonjësve dhe pritshmëritë në zhvillim të klientëve”, ka sqaruar zëdhënësja e Qantas.

Qantas ka treguar se standardet e saj kanë qenë gjithmonë reflektuese të kohës.

“Në vitet 70, gratë duhej të mbanin funde mbi gju. Sot, punonjësit tanë mund të zgjedhin nëse do të vendosin ose jo grim, nëse do të mbajnë këpucët e sheshta apo çizmet”, sipas linjës ajrore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore