Lajme

Ekuipazhi i ‘Moskva’-s u fundos së bashku me anijen, sipas Ukrainës


Sekretarja e shtypit e Shërbimit të Rojës Kufitare të Ukrainës, Natalia Gumenyuk, raportoi se ekuipazhi i anijes “Moskva” u fundos pothuajse plotësisht së bashku me anijen.

Marinarët nuk mund të evakuoheshin për shkak të një stuhie.

Anija e madhe ushtarake ruse, “Moskva”, u fundos në Detin e Zi dy ditë më parë.

Lajmin e bëri të ditur vetë Ministria e Mbrojtjes ruse, nëpërmjet një deklarate për shtyp, duke konfirmuar kështu humbjen ushtarake më të madhe të Kremlinit që prej fillimit të luftës në Ukrainë më 24 shkurt 2022, pasi vlera e kësaj anijeje luftarake përllogaritet në rreth 750 milionë dollarë.

Pas dëmtimeve të shumta të marra (ashtu si pretendohet) nga sulmet ukrainase, gjatë rrugës kur ajo po i drejtohej Sevastopol-it, në gadishullin e Krimesë, është zhytur tërësisht në ujë.

Nga Moska, pretendimi është se një avari e shkaktuar nga një shpërthim municionesh në bord, është çfarë e ka shkaktuar dëmtimin e madh në anije. ekuipazhi u evakuua menjëherë pas rënies së një zjarri të madh.

Megjithatë, Ukraina ka marrë autorësinë e avarisë së krijuar në “Moskva” dhe vendet perëndimore, e kanë mbështetur këtë tezë, pavarësisht se nuk është e faktuar tërësisht.

Rusia ka vetëm tre anije lufte të tilla, në të cilat mund të punojnë rreth 500 persona ekuipazh njëherësh.

Mirëpo, me fundosjen e “Moskva”-s, vetëm dy të tilla i mbeten flotës së Kremlinit.

Nëse arrihet të vërtetohet se Kievi ka autorësi të plotë mbi këtë gjë, kjo do të jetë edhe një prej arritjeve më të mëdha që prej fillimit të luftës, gjë e cila mund të ndihmojë edhe në rritjen e moralit të qëndrestarëve.

Fakte të reja dhe detaje mbi ngjarjen, pritet të zbardhen ende.

Ndësa, sipas inteligjencës amerikane, ka shumë arsye për të besuar se anija luftarake ruse “Moskva”, e cila u fundos në brigjet e Detit të Zi pas një shpërthimi në bord, është goditur nga dy raketa ukrainase dhe në bordin e saj, nuk ka pasur armë bërthamore, siç disa pretendime kanë rezultuar më parë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore