Shqipëria

Edhe studentët mund të bëhen një ‘Babagjysh’


Ata janë tre, por janë të hapur për ta bërë rrethin e tyre më të gjerë.

Revi Kazani, Eljon Mulgeci dhe Endri Gjoni janë studentët nga Shqipëria, të cilët këtë fundvit kanë vendosur ta mbyllin ndryshe, pranë familjeve në nevojë, nën “petkun” e një Babagjyshi.

Për Albanian Post njëri prej tyre rrëfen rrugëtimin e kësaj iniciative në dukje “të vogël”, por siç e quan vetë Revi “plot dashuri”.

“Ne vendosëm ta quanim nismën ‘Bëhu një Babagjysh’. Së bashku me miq të tjerë studentë kemi organizuar mbledhjen e pakove ushqimore, veshjeve dhe lodrave për fëmijë, të cilat kemi menduar t’i dhurojmë te familjet me probleme ekonomike në zonën e Kombinatit”, thotë fillimisht Kazani.

Ndër të tjera, ai ravijëzon se për të gjithë ata që “Duan të jenë një Babagjysh” mjafton që të përgatisin një pako dhuratë.

“Ne kemi vendosur refuzimin e çdo lloj ndihme me para në dorë dhe për të qenë transparent kemi ftuar këdo që të na bashkohet ditën e shpërndarjes për të parë se ku shkojnë ndihmat e tyre”.

Jo vetëm kaq…

Pjesëmarrja lidhet edhe me ndjesinë, “ndjesinë e mirë e të ndihmuarit njerëzit që nuk kanë mundësi”.

Zona e Kombinatit është e “përzgjedhura” e djemve. Jo pa arsye.

“Zgjodhëm Kombinatin sepse në Tiranë është një ndër lagjet më të varfra. Plagët e tërmetit të 2019-s në atë lagje janë akoma të hapura”, thotë Revi.

Edhe pse të rinjtë janë të të njëjtit mendim se nisma nuk mund të mbyllë të gjitha plagët e shoqërisë, të paktën “mund të dhurojmë diçka sado të vogël”, ndaj ata ftojnë këdo për t’iu bashkuar.

“Ne duam të jemi realistë me veten në radhë të parë dhe me të gjithë. Sigurisht që kapacitetet tona për të ndihmuar si studentë janë të limituara. Megjithatë, qëllimi i kësaj nisme është për të treguar se njerëzit gjithmonë kanë mundësi për të dhënë diçka nga vetja”.

“A man’s trash is another man’s treasure (Plehrat e një njeriu janë thesari i një njeriu tjetër)”, janë fjalët që përzgjedh Revi për të kornizuar nismën e tyre.

Pse jo një traditë?

Gjatë bisedës, ai zbulon se për të, kjo nuk është eksperienca e parë.

“Tashmë është kthyer një traditë për mua dhe studentë të ndryshëm të ekonomisë dhe drejtësisë. Interesi vjen duke u rritur çdo vit, prandaj do të doja shumë që, deri në momentin kur unë mos të kem më lidhje me universitetin, studentët që do të vijnë në fakultet ta mbajnë gjallë këtë traditë aq të bukur”.

Në përmbyllje, ai tregon se, bazuar në herët e mëparshme, dëshira e qytetarëve për të ndihmuar është e madhe.

Prandaj, pse jo, kushdo që do le të zgjedhë këtë vit “Për t’u bërë një Babagjysh”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore