Kosova

Edhe një i arrestuar për vrasjen e trefishtë në Gllogjan


Autobusi i sulmuar me breshëri plumbash në Gllogjan

Policia e Kosovës ka bërë të ditur të premten e katër shkurtit se ka arrestuar edhe një person si të dyshuar për vrasjen e trefishtë në fshatin Gllogjan të komunës së Deçanit.

Policia ka njoftuar se i arrestuari i fundit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

“Fsh. Gllogjan, Deçan (NN) 26.11.2021 – 18:58. Lidhur me rastin, me 04.02.2022 është arrestuar edhe një i dyshuar mashkull  kosovar dhe i njëjti me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në raport.

Në lidhje me rastin, më 11 dhjetor të vitit 2021 u patën arrestuar edhe tre persona të dyshuar, ndërkaq njëri prej tyre, një muaj më pas është liruar nga paraburgimi.

Ndryshe, më 26 nëntor, tre persona kanë mbetur të vdekur, derisa një tjetër është plagosur nga sulmi me armë zjarri që i është bërë një autobusi me nxënës në Kosovë, në fshatin Gllogjan të Deçanit.

Të vrarë nga ky sulm kanë mbetur shoferi i autobusit dhe dy nxënës nga tetë sa ishin gjithsej në autobus në momentin e sulmit.

Sulmi ndaj autobusit kishte ndodhur rreth orës 19:00 nga një person i maskuar i cili kishte nxënë pritën autobusit, duke i dalur përballë dhe shtënë me breshëri në drejtim të tij.

Raporti i policisë tregoi se dyshimet e para janë se sulmuesi që lëshoi breshëri plumbash, aktin e kreu me një armë të tipit AK-47, apo siç njihet ndryshe si kallashnikov.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore