Lajme

ECPMF për sulmin ndaj gazetarit Valon Syla: Autorët të dalin para drejtësisë


Qendra Evropiane për Liri të Shtypi dhe Medias

Qendra Evropiane për Liri të Shtypi dhe Medias, ka reaguar ndaj sulmit fizik kundër gazetarit Valon Syla që ka ndodhur të martën e 11 prillit.

Përmes një komunikate për media nga kjo qendër është kërkuar nga institucionet që të sillen para drejtësisë personat përgjegjës.

“Dënojmë ashpër sulmin fizik ndaj gazetarit Valon Syla nga së paku tre persona të cilët e lanë të gjakosur dhe me lëndime në kokë. I bëjmë thirrje autoritereve kosovare, që në mënyrë profesionale dhe të pavarur të zhvillojnë hetimet, në mënyrë që autorët të dalin para drejtësisë”, thuhet në komunikatë.

Gazetari Valon Syla u sulmua fizikisht nga tre persona të panjohur për të, deri sa po shkonte nga një studio televizive në shtëpi, një natë më parë.

Të panjohur, sulmuesit janë edhe për organet e rendit.

Në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës thuhet se të dyshuarit janë larguar nga vendi i ngjarjes me një veturë me targa vendore.

“Në vendin e ngjarjes kanë dalur njësitë relevante policore dhe prokurori i shtetit. Rasti është në procedurë hetimore nga njësitë relevante policore”, njofton policia.

Sipas njoftimit zyrtar, rasti ka ndodhur një natë më parë rreth orës 22:23 në rrugën “Ilir Dumoshi” në Prishtinë.

“Viktima mashkull kosovar me profesion gazetar, ka raportuar se tre të dyshuar deri më tani të pa njohur e kanë sulmuar fizikisht me ç ‘rast i kanë shkaktuar lëndime të lehta trupore”.

Pas sulmit gazetari dhe analisti politik, Valon Syla, ka pranuar tretman mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës dhe është liruar në shtëpi.

Ashtu si sulmuesit, nuk dihen as motivet e këtij sulmi.

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se për këtë rast tashmë ka nisur hetimet në mënyrë intenzive.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore