Kosova

“E vjetra po mundohet ta luftojë të renë”, Sveçla: Kam dyshime për arrestimin e shefit të KEK-ut


Xhelal Svecla

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në një intervistë për Radio Televizionin e Kosovës, pati disa kritika ndaj, siç tha ai, segmenteve të Prokurorisë Speciale, duke thënë se ka dyshime për rastin e arrestimit të Nagip Krasniqit, ish-kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK).

“Absolutisht që kam dyshime. Qasja desktuktive e segmenteve të caktuara të prokurorisë më bëjnë të kem dyshime në këtë rast. Përveçse ka ndodhë ky ndryshimi i madh politik, e vjetra po mundohet ta luftojë të renë në aspektin institucional. Prandaj e kemi këtë diskrepancë…”, theksoi Sveçla.

Kur është pyetur nëse pjesë e këtyre segmenteve është kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, të cilin përkundër insistimit të Këshillit Prokurorial, emërimin e tij deri më tani nuk e ka dekretuar presidentja Vjosa Osmani, ai tha se “unë nuk merrem me emra të përveçëm, unë merrem me fenomene”.

“Prandaj, edhe unë po them, jam jashtëzakonisht i pakënaqur me punën e prokurorisë dhe gjyqësisë në raport me veriun. Ne kemi pasur shkelje të jashtëzakonshme. Shkelja e ligjit atje ka qenë përditshmëri. Reagimi ka qenë se ne e pranojmë këtë situatë kriminale”, shtoi Sveçla.

Bordi i Drejtorëve të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), të martën ka marrë vendim me efekt të menjëhershëm për pezullimin e Nagip Krasniqit nga detyra e punës së kryeshefit ekzekutiv të KEK-ut. Ai është zëvendësuar nga Perparim Kabashi, aktualisht Drejtor i Njësisë Qendrore për Planifikim dhe Strategji në KEK.

Nagip Krasniqi, anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje, i vendosur në krye të KEK-ut përmes lidhjeve me partinë në pushtet, është arrestuar me urdhër të Prokurorisë Speciale, nën dyshimet për kryerjen e tri veprave penale.

Krasniqi para kësaj pozite ishte drejtues i Komitetit për Energji në Lëvizjen Vetëvendosje, ndërsa arrestimi i tij ka ardhur pas bastisjes së zyrave të KEK-ut pasditen e së mërkurës nën dyshimin për veprat penale: “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’, “Ushtrimi i ndikimit’’ dhe “Konflikti i interesit’’.

Ai po dyshohet për keqpërdorime në një tender prej 3.4 milionë euro me kompaninë “Litwin SA” dhe partnerin vendor “Bujar B. Shala B.I.”, për kryerjen e punëve për remontin e turbinës dhe gjeneratorit të Njësisë A5 të TC “Kosova A”.

Emri i tij është përmendur edhe në rastin e skandalit financiar në Slloveni, ku dyshohet të jetë përfshirë edhe ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, me të cilin Krasniqi raportohet se ishte takuar në Kroaci gjatë muajit mars të vitit të kaluar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore