Jetesë & Stil

E pranon hapur, Ardit Gjebrea nuk ka votuar për këngën e Alban Ramosajt


Autori dhe prezantuesi i festivalit “Kënga Magjike”, ka zbuluar një të vërtetë gjatë një diskutimi për prapaskenat e garës muzikore dhe pakënaqësitë që artistët pjesëmarrës mund të kenë pasur.

Gjebrea, ka treguar se cilën këngë e ka votuar në natën finale të festivalit duke e bërë të ditur publikisht se nuk ishte kënga “Thikat e mia” e Alban Ramosajt, e cila edhe u kurorëzua me vend të parë.

Jo një, por Arditi kishte nisur dy porosi votuese nga dy telefona për të votuar këngën e tij të preferuar të këtij edicioni, e cila ishte “Fiksim” nga dyshja e artistëve, Fifi dhe Bruno.

“Unë kam dy celularë, njërin zyrtar, tjetrin privat dhe kam votuar për Fifin dhe Brunon, kam çuar nga një mesazh me të dy telefonat për ju të dy sepse ishte ai vrulli dhe ajo gjëja që unë thoja këtë dua në festival pavarësisht se si erdhi”, tha Arditi.

Ndryshe, Alban Ramosaj me këngën e tij “Thikat e mia” që ishte prodhim i labelit “Threedots”, u rendit në vendin e parë teksa në atë të dytin u pozicionua bashkëpunimi mes kantautorit, Flori Mumajesi me këngëtarin, Klajdi Harunin dhe kënga e tyre “E para”.

Vendi i tretë u rrëmbye nga një këngëtare nga Gjeorgjia. Bëhet fjalë për artisten, Nutsa e cila në skenën e “Këngës Magjike” u paraqit me këngën e saj të titulluar – “We are one”.

Edicioni i sivjetmë i “Këngës Magjike” ishte i 22-ti me radhë teksa vitin e kaluar nuk u mbajt për shkak të situatës me Coronavirus.

Ndërkaq, Eneda Tarifa ishte këngëtarja që fitoi edicionin e këtij festivali në vitin 2019, ndërsa konkurroi me këngën – “Zgjatma dorën”.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore