Lajme

E paqartë pse po vonohet Vettingu, thotë Krasniqi


Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se procesi i vettingut duhet të ndodh, por nuk e ka të qartë pse po vonohet një proces kaq i rëndësishëm për sistemin e drejtësisë.

“Procesi i vetingut duhet të ndodh”, thotë Krasniqi për EO.

“Unë e kam takuar kryeministrin dhe i kam dhënë mbështetje për një proces që duhet të ndodh në Kuvendin e Kosovës. Propozimet që i kemi dhënë si Parti Demokratike e Kosovës janë mirëkuptuar dhe janë pranuar dhe sot dosja e vetingutt gjendet në Kuvendin e Kosovës”, shtoi ai.

Ai shtoi se nuk e ka të qartë pse po vonohen dhe pse po hezitojnë të nisin këtë proces.

Më 4 shtator, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka njoftuar se po e dorëzojnë në Kuvendin e Kosovës dosjen për vettingun në drejtësi.

“Po e dorëzojmë në Kuvend një proces me peshë të madhe për ne si qeveri, për shtetin, por më së shumti për qytetarët. Në vazhdimësi jemi dëshmitarë të neglizhencës, mosveprimit dhe pandëshkueshmërisë”, pati thënë Haxhiu gjatë një konference për media bashkë me kryeminstrin Albin Kurti.

Ajo ka theksuar se gjyqtarët dhe prokurorët konsiderohen se kanë pagat më të larta në rajon, por, për shkak të mosveprimeve apo veprimeve të tyre të gabuara, po humbim jetë grash, po dhunohen seksualisht të miturit, por “dhunohen fizikisht gratë dhe vajzat, dhe korrupsioni i madh mbetet i pandëshkuar”.

Ndërsa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se puna e nisur nuk mund të mbarojë pa vettingun dhe sigurimin që institucionet e parandalojnë krimin dhe gjykatat japin dënimet e merituara.

Ndryshe Vettingu është proces i rivlerësimit të figurës së prokurorëve dhe gjyqtarëve dhe ka për qëllim rritjen e tyre profesionale, luftimin e korrupsionit dhe ndikimin e krimit të organizuar, politikës apo elementëve të tjerë të paligjshëm në dhënien e drejtësisë.

Për vite me radhë, institucionet e Kosovës kanë tentuar që të nisin procesin e verifikimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore