Lajme

“E dashura misterioze e Putin-it, së bashku me fëmijët e tij, fshihet në Zvicër”


E dashura e presidentit Vladimir Putin, Alina Kabaeva, dyshohet se po fshihet në Zvicër, së bashku me katër fëmijët e tyre.

Ndërsa Putin vijon luftën e tij në Ukrainë, duke sulmuar qytetarë të pafajshëm dhe duke shkaktuar një krizë refugjatësh, familja e tij është e izoluar në një shtëpi shumë private dhe shumë të sigurt diku në Zvicër.

Kabaeva, një gjimnaste fituese olimpike, thuhet se ka katër fëmijë me liderin rus, megjithëse të dy nuk e kanë konfirmuar kurrë zyrtarisht.

Burimet thonë se ata kanë dy vajza binjake 7-vjeçare, të cilat kanë lindur pranë Lugano-s të Zvicrës, në shkurt të vitit 2015.

Besohet se kanë edhe dy djem të tjerë.

“Kam një jetë private në të cilën nuk lejoj ndërhyrje. Duhet të respektohet”, ka qenë qëndrimi i Putinit për jetën e tij private.

Ndërkohë, presidenti rus ka dy vajza të tjera të rritura, Maria 36 dhe Katerina 35 vjeç, nga martesa e tij e parë me ish-stjuardesën, Lyudmila Shkrebneva.

Putin është treguar gjithmonë i kujdesshëm, duke i mbajtur larg fëmijët e tij nga media dhe vëmendja e tepruar.

Pothuajse, ai nuk flet publikisht për ta, duke shkaktuar konfuzion se sa fëmijë ka në të vërtetë.

Putin dhe Shkrebneva ishin të martuar për tri dekada, deri në divorcin e tyre në vitin 2013.

Vajza e tyre Maria lindi në Leningrad në 1985, ndërsa Katerina lindi në Gjermani në 1986, kur familja jetonte atje gjatë kohës së Putin-it në KGB.

Kabaeva është një nga gjimnastet më të dekoruara në historinë e gjimnastikës ritmike, me dy medalje olimpike, 14 medalje të Kampionatit Botëror dhe 21 medalje të Kampionatit Evropian.

Ajo u quajt “gruaja më fleksibile e Rusisë” dhe një herë pozoi nudo.

Në vitin 2008, gazeta ruse “Moskovsky Korrespondent” publikoi një artikull, ku raportonte se Putin ishte divorcuar nga gruaja e tij dhe kishte vendosur të martohej me Kabaeva-n.

Historia u mohua nga Kremlin-i dhe gazeta u mbyll.

Megjithatë, spekulimet vazhduan për marrëdhënien e Putin-it me ish-gjimnasten, duke përfshirë raporte të shumta dhe pretendime se ata kanë shumë fëmijë së bashku.

Burimet pretendojnë se mund të jetë martuar edhe në një ceremoni private ortodokse ruse.

Kabaeva ishte deputete pro-Kremlinit për tetë vjet dhe në vitin 2014 u emërua nga Kremlin-i në krye të Grupit Kombëtar të Medias në pronësi shtetërore, me një pagë të raportuar prej 10 milionë dollarë në vit.

Pavarësisht figurës së saj të njohur, gjatë viteve të fundit ajo është parë rrallë në publik.

Kabaeva mohoi të kishte fëmijë në korrik 2013, pavarësisht raporteve mjekësore se ajo kishte lindur një vajzë në spitalin elitar të “Saint Ann në Ticino, Zvicër.

Duke shtuar konfuzionin, në vitin 2019, thuhet se lindi djem binjakë në klinikën e maternitetit Kulakov në Moskë.

Nuk është menjëherë e qartë se si këto sanksione mund të ndikojnë te fëmijët e Putin-it dhe Kabaeva-s, duke qenë se ata dyshohet se kanë pasaporta zvicerane dhe pasuritë e tij janë fshehur me kujdes.

Ndërsa Putin ka qëndruar i heshtur për fëmijët e tij, ish-gruaja e tij e quajti atë një baba të dashur përmes faqes së internetit të Qeverisë së liderit rus.

Kohët e fundit u raportua se Putin-i fshehu gruan e tij të parë dhe vajzat e tyre në një “qytet nëntokësor” në Siberi.

Bunkeri luksoz i teknologjisë së lartë ndodhet në malet Altai dhe është projektuar për mbrojtje në rast të një lufte bërthamore.

Marrë nga “Page Six”, përshtatur për Albanian Post! 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore