Shqipëria

Dy të vdekur në një incident të rëndë në mes të Tiranës, reagon Braçe


Një incident i rëndë është regjistruar gjatë orëve të vona të natën në zonën e “21 Dhjetorit” në Tiranë, ku si pasojë e përplasjes së dy mjeteve, kanë mbetur të vdekur dy shtetas.

Mjeti me drejtues E.D., 30 vjeç dhe ai me drejtues L.C., janë përplasur në kryqëzim rreth orës 03:20.

Për shkak të impaktit, drejtuesi i mjetit, shtetasi L.C., ka ndërruar jetë. Po ashtu, edhe një nga pasagjerët në makinën e tij, një 69-vjeçar me inicialet A.B.

Përplasja ka ndodhur pasi 30-vjeçari ka kaluar kryqëzimin me shpejtësi me semafor të kuq. Ai rezultoi se ishte në gjendje të dehur.

Viktima L.C, ishte një punonjës i forcave operacionale pranë Drejtorisë së Burgjeve prej të paktën 20 vitesh.

Kjo e fundit u bë e ditur nga Sindikata e Shërbimeve policore, të cilët shprehen ngushëllimet për humbjen e jetës së tij.

Ndërkaq 30-vjeçarit gjatë kontrollit të bërë nga policia i është gjetur një armë zjarri pushkë dhe një thikë.

Për këtë ka pasur reagim dhe nga ana e deputetit të Partisë Socialiste, Erion Braçe. Ai, në median sociale Facebook, vë në dukje se është shkelur ora policore dhe kjo, sipas tij mund të jetë një vrasje e qëllimtë.

“Kaq shumë shkelje ligji, po policia ku është në mes të Tiranës?!”, shkruan Braçe.

Në përfundim ai jep një mesazh: “Nuk luftohet pandemia me gjasme, hem si sëmundje infektive, hem si pandemi e paligjshmërisë, hem si pandemi e vrasjeve në rrugë!”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore