Lajme

Dy refugjatë – I njëjti kufi polak – Botë të ndryshme


Atë ditë kur nisi lufta në Ukrainë, Albagir-i nga Sudani gjendej i shtrirë në ngricat e Polonisë, në përpjekje për të mbetur gjallë.

22-vjeçarin e kërkonin dronët e dërguar nga patrulla kufitare polake.

Ishte natë, me temperatura nën zero dhe kudo zbardhte bora.

Albagir, së bashku me një grup të vogël refugjatësh afrikanë po përpiqeshin të futeshin fshehurazi në Poloni.

“Po e humbnim shpresën”, ka treguar ai.

Po atë natë, në një qytet të vogël afër Odessa-s, 21-vjeçarja Katya Maslova, mori valixhet dhe bashkë me familjen lëvizën me makinën e tyre.

U nisën për t’i shpëtuar Ukrainës së shkatërruar nga lufta, si pjesë e eksodit të furishëm të njerëzve që përpiqeshin të largoheshin ngjashëm si ata.

“Nuk dinim se ku po shkonim”, ka thënë ajo.

Çka do të ndodhte në dy javët e ardhshme për dy rioshët që do të shkelnin në të njëjtin vend, në të njëjtën kohë, paraqet kontrastin më të madh.

Albagir u godit me grusht në fytyrë dhe u la në duart e një roje kufiri që e rrahu brutalisht.

Kurse Katya zgjohet çdo ditë, duke e gjetur çdo gjë të freskët në tryezë, falë një burri që ajo e quan shenjtor.

Kaq të ndryshme, përvojat e tyre ravijëzojnë pabarazitë e krizës së refugjatëve në Evropë.

Janë viktima të dy ngjarjeve gjeopolitike shumë të ndryshme, por po ndjekin të njëjtin mision, shpëtimin nga rrënojat e luftës.

Teksa Ukraina e paraqet Evropën me rritjen e saj më të madhe të refugjatëve në dekada, shumë konflikte vazhdojnë në Lindjen e Mesme dhe Afrikë.

Paçka se të dy po i ikin luftës, mirëpritja është e ndryshme.

Që në çastin kur kalojnë në Poloni, refugjatët ukrainas trajtohen mirë.

Mund të udhëtojnë falas në të gjithë Evropën me Wizz Air të Hungarisë. Në Gjermani, turmat rreshtohen në stacionet e trenit, duke valëvitur flamujt ukrainas.

Dhe të gjitha vendet e Bashkimit Evropian, shumë prej të cilave mund të gjurmojnë lidhje gjaku me ukrainasit, i lejojnë ata të qëndrojnë deri në tre vjet.

Duke parë të gjitha këto në një televizor, në një shtëpi të një fshati polak, ku është shumë e rrezikshme që ai të dalë jashtë, Albagir është thuajse në gjendje shoku.

“Pse nuk e shohim këtë kujdes dhe këtë dashuri? Pse? A janë ukrainasit më të mirë se ne? Nuk e di. Pse?”, ka pyetur ai pareshtur.

Çka po përjeton ai, është përsëritur shpesh. Qeveritë evropiane e kanë bërë të vështirë për emigrantët nga Afrika dhe Lindja e Mesme hyrjen në vendet e tyre.

Udhëtimi i tij ishte i ndërlikuar nga fakti se ai zgjodhi të hynte në Poloni nga Bjellorusia, një aleat rus që vendet perëndimore kanë thënë se shkaktoi një krizë të madhe refugjatësh vitin e kaluar.

Pasi Bjellorusia mori dhjetëra mijëra njerëz të dëshpëruar nga vendet e përfshira në konflikt, si Sudani, Iraku e Siria dhe i drejtoi ata në kufirin e Polonisë si një mënyrë për të shkaktuar kërdi në Evropë, Polonia u përgjigj duke goditur ashpër atë kufi.

Ukrainasit janë viktima të një konflikti në tokën evropiane që zvarritet gjithnjë e më shumë.

Rezultati është një përgjigje nga evropianët, që është kryesisht e ngarkuar me dhembshuri. Kjo i lë refugjatët nga luftërat më të largëta të ndiejnë thumbin e pabarazisë dhe racizmit.

“Kjo është hera e parë që po shohim një kontrast të tillë midis trajtimit të grupeve të ndryshme të refugjatëve”, ka thënë Camille Le Coz, analiste e migracionit në Bruksel.

Një ditë pasi Rusia pushtoi Ukrainën, Maslova mbante ndër duar armë gjahu në makinën e familjes së saj. Teksa shihte gjullurdinë nga dritarja, nisi të qante.

Duke vozitur drejt Perëndimit, ata debatuan se ku të shkonin. Dikush thoshte Letoni, një tjetër Gjeorgji. Por Maslova kishte planin e saj, megjithëse pak të rastësishëm.

Ajo kishte studiuar animacion në një kolegj në Varshavë dhe prindërit e shoqes së dhomës njihnin një burrë, babai i të cilit kishte një shtëpi rezervë në fshatin polak.

Nëse kjo do të funksiononte, ajo mund të kthehej në shkollën e animacionit dhe të përmbushte ëndrrën e saj për të bërë filma vizatimorë për fëmijë.

Kështu, e bindi familjen për në Poloni.

Në të njëjtën ditë, Albagir ishte ende i bllokuar në pyllin në kufirin e Polonisë me Bjellorusinë. Ishte në arrati prej vitesh.

Pasi pa vendlindjen e tij të rrënohej nga lufta, iku në Khartoum, kryeqyteti i Sudanit, për të studiuar mjekësi. Por Khartoum shpejt u bë pjesë e kaosit.

Kështu, udhëtoi për në Moskë me një vizë studentore për të ndjekur kurse në një universitet privat, por pasi Rusia pushtoi Ukrainën, duke shkaktuar sanksione të rënda, Albagir kishte frikë se universiteti i tij mund të përjashtohej.

U desh të ikte sërish.

Plani i tij ishte të udhëtonte nga Rusia në Bjellorusi, në Poloni, në Gjermani, por nuk e dinte që Polonia sapo kishte përforcuar kufirin e saj për të zmbrapsur emigrantët që vinin nga Bjellorusia.

Afro 130 milje larg, në jug, Maslova arriti në destinacionin e saj, shtëpi ferme e vendosur thellë në fshatin polak.

Papritur, një burrë trupmadh me flokë gri doli nga errësira.

Ai, Janusz Poterek dhe gruaja e tij Anna, nisën t’i përqafonin të gjithë me lot në sy.

Familja e saj hyri në kuzhinë dhe pa vaktin me tre pjata që nikoqirët e kishin përgatitur për ta dhe filluan të qanin.

Ata hynë në banjë. Një varg furçash dhëmbësh, sapunësh dhe shamposh krejt të reja po i prisnin.

Nga ana tjetër, kishte çarçafë, peshqirë dhe batanije të sapo lara të rreshtuara në shtretërit e tyre.

Fermeri Poterek nuk kishte ndihmuar kurrë më parë refugjatët. Ama kur shpërtheu lufta “nuk mund të qëndronte indiferent”.

Disa net më vonë, Albagir dhe tre burra, me të cilët po udhëtonte, u arrestuan.

Ata kishin kaluar kufirin polak pa u zbuluar, por shoferi që punësuan për t’i çuar në Gjermani harroi të ndizte fenerët e tij dhe u ndalua.

Sipas Albagir, oficerët e policisë polake vodhën kartat e tyre SIM, çaktivizuan telefonat e tyre dhe i kthyen në pyll.

Muajt e fundit, të paktën 19 njerëz kanë ngrirë për vdekje duke u përpjekur të hyjnë në Poloni, pasi rojet kufitare polake i shtynë ata përsëri në pyll.

Por zyrtarët polakë kanë këmbëngulur se nuk ishte faji i tyre.

Albagir ka treguar se rojet polakë u kanë bërtitur dhe e kanë shtyrë drejt një gardhi me tela me gjemba në një pjesë të izoluar të pyllit.

Orë më vonë, me pak ushqim dhe asnjë mënyrë tjetër për të ikur, arriti te një postë kufitare bjelloruse.

Bashkë me të tjerët iu lutën rojeve t’i lejonin të hynin.

“Kishim nevojë për strehim”, ka thënë Albagir.

Mirëpo, bjellorusët kishin plane të tjera.

Rojet kufitare i kapën dhe i hodhën në një garazh të ftohtë. Një ushtar bjellorus u bërtiti me sharje racore dhe i sulmoi me inat.

“Na goditi me grushte, na goditi me shkelma, na hodhi poshtë, na goditi me shkopinj”, ka thënë Albagir.

Më pas, ushtari i drejtoi për në pyll dhe i paralajmëroi se, nëse ktheheshin, do t’i vriste.

Albagir dhe grupi i tij kaluan kufirin për në Poloni për herë të dytë brenda një jave. Ishin gati të ngrirë.

Thirrën një numër që u kishin dhënë në rast se do të kishin probleme dhe një aktiviste polake i mori fshehurazi në shtëpinë e saj dhe i paralajmëroi që të mos dilnin jashtë.

Përvoja e tyre nuk do të ishte plotësisht e lirë nga aktet e mirësisë.

Albagir planifikon të aplikojë për azil në Gjermani dhe të përfundojë studimet. Ai flet arabisht, anglisht dhe pak rusisht.

Ëndërron të bëhet mjek dhe të shkruajë një libër për atë që sapo ka përjetuar.

Për të, e gjitha ishte veç racizëm.

Kurse për familjen e Maslova-s, trajtimi bëhet gjithnjë e më i mirë. Poterek ka regjistruar vëllain dhe motrën e saj në një shkollë fillore.

“Duket sikur i gjithë vendi po i përkul pak rregullat për ukrainasit”, ka treguar Maslova.

Kur nikoqirët u pyetën nëse do të merrnin refugjatë afrikanë ose të Lindjes së Mesme, Poterek ka thënë po, por që nuk kishte mundësi.

Sipas tyre, do të ishte “më e lehtë” për të pritur ukrainasit sepse ndanin një kulturë.

Në kontrast, Albagir-it i duhej të zhvendosej në një tjetër vend strehim, ku sërish nuk mund të dilte jashtë.

Marrë nga “The New York Times”, përshtatur për Albanian Post!

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore