Sport

Dy gabimet fatale në ditën e aksidentit të Michael Schumacher


Kanë kaluar thuajse 10 vite nga që aksidenti i tmerrshëm i ish-pilotit të Formula 1 dhe shtatë herë kampionit botëror Michael Schumacher më 29 dhjetor 2013.

Por ende vijojnë të dalin detaje me rëndësi që e bëjnë ngjarjet e asaj kohe në Alpet Franceze në ski edhe më të tmerrshme.

Nga njëra anë nuk dihet asgjë për gjendjen aktuale shëndetësore të ish-pilotit të Ferrarit, për shkak të fshehtësisë këmbëngulëse dhe strategjisë së mos komunikimit të gruas së tij Corinna Betsch dhe fëmijët Mick dhe Gina-Maria.

Por nga ana tjetër, hetimi i gazetarit gjerman Jens Gideon ka zbuluar, edhe pas një dekade, disa detaje të papublikuara më parë.

Historia e aksidentit, e publikuar në një seri podcast-esh nga transmetuesi gjerman Ard, i dha hapësirë ​​dëshmisë së një prej instruktorëve të skive që punonte në zonë.

I quajtur “Andre” nga gazetari, ai ka evidentuar disa elementë, por edhe gabime, të cilat nëse do të shmangeshin mund të kishin ndryshuar rrjedhën e ngjarjeve.

Gabimi i parë

Në pjesën e parë të dëshmisë, instruktori i skive ka kujtuar pakujdesinë e Schumit, duke iu referuar kushteve të tokës së asaj dite.

Ish-piloti kishte zgjedhur të skijonte me pak borë, duke rrezikuar veten në zonën jashtë piste të karakterizuar nga një sipërfaqe shumë e hollë e bardhë dhe shumë gurë të ekspozuar.

“Nuk kishte kushte ideale për skijim as në pista. Edhe më e rrezikshme të dalësh jashtë pistes në një ditë të tillë”.

Dëshmitari më pas i la të kuptohet gazetarit gjerman se gabimin e parë në gjykim e kishte bërë vetë legjenda e motorsportit.

Gabimi i dytë

Pasojat e aksidentit, megjithatë, sipas instruktorit të skive, i detyroheshin edhe një gabimi të rëndë në vlerësimin e punonjësve të shpëtimit.

Në vendin e aksidentit, ata që i dhanë ndihmën e parë, nuk e kuptuan menjëherë peshën e dëmit, sepse Schumacher u ishte dukur i ndërgjegjshëm.

Kështu ata vendosën ta transportonin me helikopter në klinikën e vogël në Moutiers.

Megjithatë, gjendja e tij shëndetësore u përkeqësua gjatë udhëtimit – kohë në të cilën humbi vetëdijen dhe u intubua – me mjekët që më pas vendosën të ndryshonin kursin e avionit dhe të niseshin shpejt drejt spitalit më të pajisur në Grenoble.

Në këtë institucion shëndetësor ish-piloti i Ferrarit iu nënshtrua një operacioni në tru dhe nisi ngadalë procesin e trajtimit dhe rehabilitimit, përpara se të shkonte në qendra të tjera të specializuara në muajt në vijim.

Megjithatë, sipas instruktorit të skijimit, koha e humbur gjatë fluturimit ishte vendimtare për shkaktimin e dëmeve më të mëdha shëndetësore nga sa mund të kishte pësuar pas atij lloj aksidenti.

Në këtë mënyrë, llogaritja e gabuar e punonjësve shëndetësorë sipas tij ka bërë ndryshimin për keq.

Misteri i videos

Një tjetër element, i cili rikthehet herë pas here për të qenë pjesë e lajmeve të episodit tragjik, por pa pasur asnjë konfirmim të veçantë, është ai i një kamere aksioni (GoPro) që Schumacher mbante në helmetë ditën e aksident.

Nëse për disa, prania e kamerës së vogël rëndonte dinamikën e rënies dhe dëmtimin e kokës që pësoi ish-piloti, nga ana tjetër shumë po kërkojnë një analizë të pamjeve të shkrepura prej saj në ato momente.

Askush nuk e di nëse ekzistojnë, pasi regjistrimi nuk është bërë kurrë publik, pavarësisht shumë supozimeve, ka qenë vetë instruktori i skive Meribel ai që ka kujtuar praninë e kamerës së veprimit në helmetën e mbajtur atë ditë nga Schumacher.

Megjithatë, nuk ka asnjë lajm zyrtar për gjendjen shëndetësore të ish-pilotit.

Marrë nga “Corriere della Sera”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore