Shqipëria

Dumani kërkoi akt-padinë për McGonigal, Bardhi ia dërgon menjëherë


Deputeti demokrat, Gazment Bardhi, i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së kreut të Prokurorisë së Posaçme SPAK, Altin Dumani, i cili ka kërkuar vënien në gatishmëri të akt-padisë së Zyrës së Prokurorit të Distriktit të Columbia-s, datë 15.09.2022, lidhur me kërkesën e deputetit për nisjen e hetimeve në çështjen McGonigal.

Kjo e fundit, është kthyer në kryefjalë të publikimeve mediatike shqiptare, pasi ish-zyrtari i lartë i FBI-së, i akuzuar për lidhje me një oligark rus dhe mosdeklarim pasuror, ka pasur njohje personale miqësore me kryeministrin shqiptar, Edi Rama.

Mbi këtë premisë, Bardhi i kishte kërkuar SPAK-ut me anë të një letre, të datuar më 24 janar 2023, të niste hetimet.

Vetëm sot, me diferencë një-javore, SPAK e pranoi kërkesën, por kërkoi edhe dokumentacione shtesë.

Bardhi duket se e ka vënë këtë të fundit në disponim, me kërkesë të Dumanit dhe shkurtimisht, ka thënë në letër se “shpreson në kryerjen e një hetimit të plotë, të gjithanshëm dhe të pavarur mbi çështjen”.

Më 24 janar, Bardhi deklaronte kërkesën që kishte dërguar në SPAK.

“Miku personal i Edi Ramës, Charles McGonigal, njeriu që drejtoi për dekada kundërzbulimin e FBI në New York, u arrestua në SHBA pasi akuzohet për bashkëpunim me rusët, deklarim të rremë dhe pastrim të parave të pista. Drejtësia amerikane konfirmon se Edi Rama, nëpërmjet një ish punonjësi të Sigurimit të Shtetit, i paska paguar mikut të tij McGonigal plot 225 mijë dollarë për të sajuar përrallën me lobim me para ruse të PD në SHBA”, do të thoshte ai përpara dorëzimit të kërkesës.

Sipas tij, ky është akti më i rëndë që ka ndodhur në këto 30 vite në marrëdhëniet mes SHBA-ve dhe Shqipërisë.

McGonigal, u hetua fillimisht, më pas arrestua e më tej ende u lirua dhe po gjykohet në liri me kusht, lidhur me deklarime të rreme, falsifikim dokumentesh dhe lidhjet me oligarkun Oleg Deripaska.

Në Shqipëri gjithsesi, edhe pse akuzohet për lidhje me kryeministrin Rama, McGonigal e daton aktivitetin prej vitit 2007, kur në pushtet ishte asokohe Partia Demokratike dhe në krye të Qeverisë, Sali Berisha.

Ai figuron si administrator i një kompanie (LAWOFFICE & INVESTIGATION), e cila është themeluar në vitin 2007, kohë kjo kur si kryeministër i vendit, shërbente kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha.

Kjo kompani, me status momental rezulton si e pezulluar në vitin 2019.

Ajo ka si aksionerë shtetasin Shefqet Dizdari, me 25% të aksioneve, vetë McGonigal-in, shtetasin amerikan Mark Thomas Rossini, i cili po ashtu ka qenë një ish-agjent i FBI-së dhe Agron Nezajn.

Ky i fundit është akuzuar ndërkohë si ndërmjet i Ramës me ish-zyrtarin e lartë amerikan.

Mirëpo, një akuzë të tillë, është mohuar nga vetë Rama, i cili reagoi mbi çështjen dhe tha se përveçse me McGonigal-in kishte thjesht lidhje me miqësore, edhe me Nezajn, nuk ka folur asnjëherë për çështje biznesi, por ka pasur takime miqësore dhe krejtësisht pa interes.

Madje, ai e ka përforcuar këtë, duke thënë se Neza vjen nga Lëvizja Demokratike dhe ka qenë person shumë i afërt me Azem Hajdarin, duke lënë të kuptohet se nuk ka lidhje për çështje biznesi me të.

Vetë Neza, përmendet në dosjen e McGonigal si “Personi A” dhe përshkruhet si ish-funksionar i Shërbimeve Inteligjente shqiptare.

Thënë kjo, vetë Rama nuk e ka mohuar njohjen me amerikanin dhe takimet me të, të cilat kanë qenë krejtësisht miqësore dhe nuk ka pasur detyrim për t’i deklaruar.

Por, vetë McGonigal, i cili e ka pasur një detyrim për t’i deklaruar ato, nuk e ka bërë kurrë këtë gjë. Një skenar të tillë, e ka zbatuar edhe me politikanë të tjerë në Bosnjë dhe Hercegovinë, Kosovë, apo deri edhe në Austri.

Teksa, për hapjen e biznesit në kohën kur Berisha ka qenë kryeministër, nuk ka asnjë të dhënë paraprake se si ata të dy mundet apo jo të jenë të lidhur.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore