Jetesë & Stil

Dua Lipa e pranon se Kylie Minogue ishte frymëzimi i saj që nga fëmijëria


Dua Lipa dhe Kylie Minogue

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa, ka pranuar publikisht se artistja, Kylie Minogue ka qenë një frymëzim për të që kur ishte fëmijë.

Dua dhe Kylie, u bashkuan për të incizuar remiksin e “Real Groove” një këngë nga albumi i 15-të i yllit australian, ndërsa Dua ka thënë se kjo eksperiencë ishte një ëndërr e vërtetë sepse ajo ka qenë një adhuruese e Minogue që kur ishte vetëm tetë vjeç.

“Që para se të isha në vitin tre e kam dashur Kylie. Unë i kam dashur të gjitha këngët e saj, videot e saj muzikore, ajo është një ikonë e tillë, është mbretëreshë”, ka thënë Lipa.

Edhe pse Dua Lipa ishte shumë aktive me udhëtime edhe gjatë pandemisë, gjë për të cilën u kritikua shumë nga fansat e saj, sa i përket karrierës dhe koncerteve, periudha me COVID-19 i krijoi asaj një kolaps.

Por, gjithsesi Koronavirusi kishte një të mirë për Duan!

Ishte përfolur gjatë për një bashkëpunim në mes të saj dhe Miley Cyrus, por që dyshja nuk gjenin kohë të lirë për diçka të tillë për shkak të angazhimeve të shumta.

Ndërsa, gjatë pandemisë dyshja, Lipa e Cyrus, u bashkuan për të sjellë këngën “Prisoner”, e cila ishte një hit i padiskutueshëm, që u radhit lartë në klasifikimet botërore.

“Pas katër muajve të parë të bllokimit që ndodhi në Mbretërinë e Bashkuar, unë u ktheva në Shtetet e Bashkuara dhe bashkë me Miley përfunduam së bashku në studio dhe duke punuar për këngën ‘Prisoner’”.

“Ne nuk kemi pasur mundësi sepse gjithmonë kemi qenë të zëna dhe duke udhëtuar kështu që nuk mund të bashkoheshim vërtet. Kënga ishte një nga bashkëpunimet e mia të preferuara dhe mendoj se edhe zërat tonë u kombinuan mirë. Jam krenare për këtë projektin e lansuar në bashkëpunim me Miley-n”, tha Dua në një radio intervistë në Londër.

Në anën tjetër, Dua, po vazhdon të shijojë suksesin e video projektit muzikor “Love Again”, i cili njëherësh është i fundit i publikuar nga ajo.

“Love Again”, pos që u prit mirë nga fansat e Duas, ka arritur të grumbullojë afro 50 milionë klikime në platformën YouTube.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore