Lajme

Drejtori i Organizatës Turistike: Ulqini është më i lirë se Prishtina


Drejtori i Organizatës Turistike të Ulqinit, Gëzim Hajdinaga

Drejtuesit e Organizatës Nacionale të Turizmit të Malit të Zi, të premten e 6 majit në Prishtinë kanë shpalosur ofertat turistike për sezonin veror 2022, duke shprehur gatishmërinë për pritjen e turistëve.

Drejtori i Organizatës Turistike të Ulqinit, Gëzim Hajdinaga i ka ftuar kosovarët t’i kalojnë pushimet në bregdetin malazez, pavarësisht rritjes së çmimeve.

“Kosova e njeh Ulqinin jo më pak se unë. Do të mundohemi që çmimet mos të rriten në limitet e pakapshme për çdo xhep të turistëve nga Kosova”.

Sipas tij, Ulqini është më i lirë se vetë kryeqyteti kosovar.

“Marrë në përgjithësi, Ulqini është më i lirë se Prishtina. Restorantet në Prishtinë janë më shtrenjtë se në Ulqin. Ndërsa, sa i përket shtrenjtimit dhe hoteleve jemi më konkurrent me çmime se sa edhe vet Shqipëria… Unë ju rekomandoj që të shkoni në çdo qytet të Malit të Zi, ju ftoj të shkoni në Shqipëri dhe shtatë ditë t’i lini për Ulqinin”, deklaroi Hajdinaga.

Ulqini

Ndërkaq, përfaqësuesja Organizatës Nacionale të Turizmit në Mal të Zi, Luljana Qukiq tha se janë duke bërë përpjekje që çmimet të mbeten të njëjta sikur në vitin e kaluar.

“Turizmi është munduar dhe ende po mundohen që t’i mbajnë çmimet në nivelin e vitit të kaluar, edhe pse po e shohim që për çdo ditë po rriten çmimet e të gjitha gjërave ushqimore dhe shërbimeve të ndryshme. Mirëpo, duke respektuar rëndësinë e këtij tregu, po mundohemi që çmimet t’i mbajmë në nivelin e vitit të kaluar”, deklaroi ajo.

Në këtë konferencë për media ofertat e turistike i kanë prezantuar edhe përfaqësuesit e qyteteve tjera bregdetare, nga Cetinje, Podgorica, Tivari dhe Budva.

Po ashtu përfaqësuesit nga Mali i Zi, theksuan se autoritetet atje kanë hequr masat parandaluese për COVID-19, dhe nuk kërkohet më në kufi certifikata e vaksinimit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore