Lajme

Drejtori i Le Monde: “Pasiguria e zgjedhjeve në Francë është faji i Macron-it”


“Franca po hyn në një fazë politike të paprecedentë, askush nuk e di se si do të përfundojë, ndoshta as Emmanuel Macron nuk e di”, vëren Jérôme Fenoglio, 58 vjeç, pa lidhje të drejtpërdrejta me shkrimtarin, por me origjinë të largët italiane në Cortemiglia, në Langhe.

Që nga viti 2015, Fenoglio është në krye të Le Monde të cilën e ka rikthyer në sukses, me mbi 600 mijë të abonuar.

Që nga fillimi i krizës e cila u hap me vendimin për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme legjislative, gazeta e mbrëmjes ka botuar analiza të thelluara të flukseve zgjedhore, scoops politikë – si historia e orëve në Elysee që çuan në shpërbërjen e Assemblée Nationale – dhe përsëriti linjën e saj mbi vlerat që mbart, duke nisur një apel për të mos votuar për të djathtën ekstreme.

Nuk e dimë se si do të përfundojë, por ndërkohë hipoteza e një qeverie të ekstremit të djathtë nuk ka qenë kurrë kaq e mundshme në Francë. Si arritëm në këtë pikë?

“Ndoshta është krijuar një iluzion optik nga jashtë, i cili na pengoi të shohim diçka që është e qartë këtu. Kjo është ajo që themi dégagisme, një shtysë shumë e fuqishme elektorale në Francë: dëshira për të larguar ata që janë në pushtet për të provuar gjithmonë dikë të ri. Ajo që favorizon sot Jordan Bardella është ajo që e lejoi Macron të zgjidhej në 2017: një fytyrë e re, dëshira për rinovim. Dégagisme vazhdon të prodhojë trazira pa e ditur se ku do të na çojë”.

Macron erdhi në Presidencë duke premtuar se do të mundte populistët dhe në veçanti të djathtën ekstreme.

“Nëse Rassemblement National (RN) merr një shumicë absolute, mendoj se kreu i shtetit nuk do të ketë zgjidhje tjetër veçse të pranojë se ka dështuar. Ai ka qenë në Elysee për shtatë vjet, një kohë e gjatë në përpjekje për të ndryshuar vendin. Kishte shumë fjalime, shumë premtime, por pak veprime dhe pak dëgjim të asaj që Francës i duhej vërtet. Macron nuk u shqetësua për shkaqet rrënjësore të votimit për RN. Sot kemi pothuajse të gjithë Francën rurale që zgjedh të djathtën ekstreme. Është për shkak të përkeqësimit të ofrimit të shërbimeve publike, fakti që njerëzit ndihen të përbuzur nga një elitë pariziane. Ky ishte tashmë kuptimi i protestës së jelekëve të verdhë. Tani mesazhi është përgjithësuar, me përjashtim të disa qyteteve të mëdha. Vota thotë: na ke harruar”.

A është i vetmi kreu i shtetit përgjegjës për këtë situatë?

“Nuk është i gjithë faji i tij, padyshim. Ka tendenca që tashmë ekzistonin dhe që ai nuk ka qenë në gjendje t’i përmbajë. Dhe Macron sigurisht nuk është përgjegjës për zhytjen morale që ka ndodhur në të djathtën franceze, e cila ka ndjekur agjendën e Le Pen prej vitesh. Ishte gjithashtu e vështirë të parashikohej se do të kishte një grup të tërë mediatik, si ai në pronësi të Vincent Bolloré, i angazhuar për të përhapur idenë se të huajt janë shkaku kryesor i të gjitha problemeve të Francës, duke krijuar një klimë të favorshme për idetë e së djathtës ekstreme”.

A mund ta përballojë tronditjen Kushtetuta e Republikës së Pestë e imagjinuar nga De Gol?

“Ishte projektuar për t’i rezistuar një alternimi normal midis partive, por jo asaj që duket se po afrohet. Skenari i parë është një rezultat në të cilin nuk ka shumicë absolute, me rrezikun e mosqeverisjes. Kjo është diçka që nuk e kemi përjetuar kurrë në Republikën e Pestë. Ju, në Itali, dini si t’i menaxhoni këto situata, por sistemi aktual francez është krijuar pikërisht për të siguruar që kjo të mos ndodhë kurrë, për të korrigjuar të metat e regjimit parlamentar të Republikës së Katërt. Skenari tjetër, gjithashtu krejtësisht i ri, është një shumicë absolute për RN, dhe për rrjedhojë një qeveri bashkëjetese me një parti që ne në Le Monde e konsiderojmë jashtë spektrit republikan”.

Edhe nëse RN do të vinte në pushtet me zgjedhje, do të vazhdoni ta përkufizoni atë si të djathtë ekstreme?

“Bërthama ideologjike e RN mbetet e njëjtë. Është e djathta ekstreme, sepse diskriminon dhe refuzon njerëzit me origjinë të huaj, cakton koka turku dhe ka një vizion jashtëzakonisht nacionalist, në kuptimin maurrasian të termit (referim Charles Mauras). Dhe ajo ka një vizion të rrezikshëm për Evropën, veçanërisht ndaj armiqve tanë si Rusia”.

Këto ditë, një editorial i famshëm kundër të djathtës ekstreme, i shkruar në 1999 nga Philippe Sollers në Le Monde, citohet shpesh: Le retour de la France moisie. Kthimi i Francës së kalbur.

“Problemi është se në vitin 1999 vota për të djathtën ekstreme ishte ende një realitet i pakicës. Tani është bërë aq e rëndësishme sa është e vështirë të përdoret përkufizimi i Sollers. Do të ishte një nënvlerësim të thuash se të gjithë francezët që votojnë RN janë racistë. Ka shumë shkaqe sociale dhe ekonomike që duhen adresuar”.

Mediat progresive shpesh akuzohen nga populistët se mbulojnë problemet e krijuara nga emigracioni.

“Në Le Monde nuk pritëm që populistët të thoshin se në Francë kishte një skandal mbi getot urbane. Ne e kemi shkruar për 20 vjet. Nuk na duheshin populistët që të thoshin se popullata të tëra janë të grumbulluara në disa zona të pafavorizuara, pa shërbime publike, me pak akses në kujdesin shëndetësor, në botën e punës. Nuk na duhen populistët për të kuptuar se sot ka një emergjencë, që krijon një ndjenjë pasigurie krejtësisht të justifikuar dhe që quhet drogë. Ne i kemi kushtuar një seri të gjatë raportimesh krimit të lidhur me trafikun e drogës. Problemi është se populistët, dhe në këtë rast e djathta ekstreme, na thonë se për të gjitha fajin e kanë të huajt. Nuk eshte e vertete”.

Me sistemin me dy raunde, francezët ndoshta do të duhet të zgjedhin midis kandidatëve të ekstremit të djathtë dhe të tjerëve nga koalicioni i krahut të majtë, Nouveau Front Populaire. A është rreziku për demokracinë franceze i njëjtë, siç përsërisin disa anëtarë të mazhorancës aktuale?

“Është thellësisht e gabuar t’i vendosësh në të njëjtin nivel. E djathta ekstreme përhap ide që janë moralisht të papranueshme për humanistët. Fronti i Ri Popullor ka një program të majtë, po aq radikal sa ai i vitit 1981, por përmban horizontin e socialdemokracisë. Kjo nuk do të thotë se ne nuk duhet të jemi vigjilentë për një lëvizje të caktuar sektare, antidemokratike që ekziston brenda France Insoumise të Jean-Luc Mélenchon. Por është e gabuar të thuhet se koalicioni i së majtës është i njëjtë me të djathtën ekstreme. Nuk ka ekuivalencë në votë”.

Në zgjedhjet evropiane ju keni shkruar një editorial duke bërë thirrje për të krijuar një brez mbrojtës kundër të djathtës ekstreme. Do ta bëni sërish tani?

“Le Monde u themelua në vitin 1944, pra 80 vjet më parë. Historia jonë u ndërtua pas Luftës së Dytë Botërore, në luftën kundër nacionalizmit apo gjithçkaje që çoi në fatkeqësitë që pamë në gjysmën e parë të shekullit të njëzetë. Rreziku kryesor sot është e djathta ekstreme, në Evropë dhe në mbarë botën. Donald Trump po i afrohet gradualisht një praktike fashiste të pushtetit, me dhunën e tij, mungesën e skrupujve, refuzimin e drejtësisë institucionale. Debati politik po bëhet gjithnjë e më brutal. Në këtë kontekst, gjëja themelore, të cilën ua kam përsëritur edhe gazetarëve të mi, është të qëndrojmë të qetë dhe profesional. Tradita jonë është të pasurojmë debatin publik duke nxjerrë në pah fakte dhe argumente. Ne duam të kontribuojmë në cilësinë e debatit publik. Ne konfirmojmë pavarësinë tonë dhe nuk më intereson nëse kritikohemi nga parti të ndryshme, qoftë edhe nga mazhoranca aktuale që do të donte që ne të ishim pro qeverisë. Ne kemi një metodë gazetareske, duhet të vazhdojmë ta zbatojmë, pa e lënë veten të rrëmbehemi nga provokimet”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore