Lajme

Dredhia e Putin-it për gazin mund t’i kthehet pas Rusisë


Në Evropë, një nga frikërat më të mëdha ekonomike, që kur Rusia pushtoi Ukrainën, ka qenë ndërprerja e furnizimit me gaz rus.

Këtë javë një kërcënim i tillë dukej më real.

Ministrat e G7-ës kundërshtuan kërkesën e Vladimir Putin-it për të kaluar në pagesën në rubla, jo në euro, për gazin. Dhe Moska paralajmëron ndërprerje.

Paçka kërcënimeve të mëtejshme verbale nga presidenti rus dhe paralajmërimeve evropiane se ata po përgatiten për të gjitha rastet, një zgjidhje për të shpëtuar duket në perspektivë.

Çka mund të nxjerrë në pah episodi është vështirësia e Rusisë në vendosjen e “kundër-sanksioneve” që nuk i shkaktojnë akoma më shumë dëm ekonomisë.

Javën e kaluar, urdhri presidencial se pagesat për eksportet e gazit duhet të bëhen në rubla nga “vendet jo-mike”, ishte tejet politik.

Sipas Putin-it, kjo ishte një përgjigje ndaj një ngrirjeje të BE-së të rezervave valutore të bankës qendrore ruse.

Pjesërisht, u duk një përpjekje për të detyruar blerësit evropianë të gazit të kryejnë transaksione në rublën e rrethuar dhe të ndërveprojnë me sektorin financiar ose Bankën Qendrore të Rusisë për të shkëmbyer eurot ose dollarët që përdorin për të shlyer faturat në monedhën ruse.

Kërkesa mund të ketë ndihmuar në nxitjen e rikthimit të fundit të rublës në afërsi të niveleve të paraluftës, por ndikimi është kryesisht kozmetik.

Tanimë, bankat qendrore ruse kanë urdhëruar eksportuesit rusë të konvertojnë 80 për qind të të ardhurave të tyre në valutë të huaj në rubla.

Kështu, dekreti vetëm rrit proporcionin në 100 për qind dhe e kalon përgjegjësinë për blerjen e rublave te blerësit e energjisë.

Vendet e G7-ës e kanë quajtur blof të Putin-it.

Referuar atyre, kërkesa shkelte kontratat e gazit të shprehura në monedha ndërkombëtare. Diçka që Rusia e ka shmangur gjithmonë që kur filloi të eksportonte gaz në Evropë në Luftën e Ftohtë.

Kjo e ka bërë Kremlinin të kërcënonte se do të ndërpriste gazin për klientët.

Dekreti u kërkonte blerësve të huaj të gazit të hapnin llogari në rubla dhe në valutë të huaj në Gazprombank, e cila nuk është subjekt i sanksioneve të BE-së.

Por kjo është diçka që blerësit mund ta bëjnë pa dëshirën e tyre.

Në veçanti, e shqetësuar është Gjermania.

Një mbyllje e rubinetave ruse, qoftë edhe për disa ditë, mjafton për të krijuar ndërprerje të rënda për një vend që mbështetet te Moska për gjysmën e importeve të gazit.

Rusia do t’i bënte një dëm të madh ekonomisë së saj nëse ndërpret gazin për Evropën për një kohë të gjatë.

Por një llogaritje që Rusia nuk mund të përballojë t’i pezullojë dërgesat, ka mbështetur një shtytje të disa mbështetësve të Ukrainës për sanksione të mëtejshme energjetike ndaj Rusisë.

Blerësit do të duhet të paguajnë në llogaritë e ruajtjes, nga të cilat Moska mund të tërheqë fondet vetëm për të paguar disa gjëra thelbësore.

Dekreti i Putin-it mund të ketë qenë pjesërisht një përpjekje për të izoluar Rusinë nga një veprim i tillë.

Ai mund të mendojë se e ka goditur Perëndimin, duke e detyruar atë të paguajë në rubla.

Por duke rishkruar kontratat, ai do të dëmtojë më tej besimin te Moska si furnizuese.

Edhe nëse disa sanksione hiqen si pjesë e një marrëveshjeje paqeje në Ukrainë, vendosmëria e re e Evropës për t’i dhënë fund varësisë nga gazi i Moskës do të qëndrojë.

Marrë nga “Financial Times”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore