Lajme

Dreçun: “Vetëm në OKB Kosova fiton kapacitet të plotë ndërkombëtar, anëtarësimi në Këshillt të Evropës s’çon peshë”


Kryetari i të ashtuquajturës “komision për Kosovën” në qeverinë serbe, Milovan Dreçun.

“Anëtarësimi i Kosovës në Këshill të Evropës nuk është se ka shumë rëndësi për Serbinë, sepse vetëm anëtarësimi në Kombe të Bashkuara do të thotë fitore e kapacitetit të plotë ndërkombëtar”, ka thënë kryetari i të ashtuquajturës “komision për Kosovën” në qeverinë serbe, Milovan Dreçun.

Aplikimi i Kosovës në KiE, thotë Dreçun duke e marrë si të mirëqenë mundësinë që Kosova të anëtarësohet suksesshëm, është bërë me ndihmën perëndimore, dhe vetëm pas sigurimit të dy-të-tretave të votës ka marrë garancinë për të aplikuar.

“Kapaciteti i Serbisë është të parandalojë Kosovën për t’u anëtarësuar në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, dhe jo aq për Këshillin e Evropës. Këtu s’është se mund të bëjmë shumë për shkak të përçarjeve në komunitetin ndërkombëtar – [që thonë] ose me Evropën ose me Rusinë”, ka thënë Dreçun për “Euronews”.

Në lidhje me dialogun e Brukselit mes Kosovës dhe Serbisë, Dreçun tha se duhet “mënjanuar mundësia” për t’u pajtuar për njohjen e Kosovës.

“Serbia nuk duhet të dorëzohet në dialog dhe të shkojë në drejtimin e pajtuar nga [Miroslav] Lajçak. T’i shmanget mundësisë së njohjes së Kosovës. Ne jemi gati për të gjetur zgjidhje kompromisi, por s’duhet të jemi pala të cilës i hedhet faji”, ka thënë mes tjerash ky zyrtar serb.

Edhe kryeparlamentari serb, Ivica Daçiç, ditë më parë bëri të njëjtat argumente se anëtarësimi i Kosovës në Këshill të Evropës është pothuajse i pashmangshëm, por se Serbia ka në dorë veton ruse, për të ndaluar rrugëtimin e Kosovës drejt OKB-së.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore