Lajme

Dreçun: “Optimizmi i Lajçakut për dialogun Kosovë-Serbi është i pabazë, njohja e ndërsjellë është e papranueshme”


Kryetari i Komisionit të ashtuquajtur "për Kosovën" në Kuvendin e Serbisë, Milovan Dreçun

Sa i përket dialogut të lehtësuar nga Brukseli midis Kosovës dhe Serbisë, “optimizmi i emisarit, Miroslav Lajçak është i pabazë”, ka vlerësuar kryetari i komisionit të ashtuquajtur “për Kosovë” në Kuvendin e Serbisë, Milovan Dreçun.

“Dialogu është i pakuptimtë dhe pa progres” i ka thënë Dreçun televizionit publik serb, duke u thirrur në vendimet e fundit të Qeverisë së Kosovës rreth targave ilegale serbe në komunat veriore të Kosovës, si dhe reciprocitetit për njohjen e letërnjoftimeve.

Përveç Udhërrëfyesit për Zbatimin e Marrëveshjeve për Energjinë, ky zyrtar serb thotë në dialog nuk ka ndonjë përparim tjetër.

“E kuptoj që Lajçak është në nguti, që vendet udhëheqëse perëndimore janë në nguti për t’i dhënë fund procesit të bisedimeve, do të thotë procesit të normalizimit të marrëdhënieve, në këtë fazë, në mënyrë që të vazhdohet në fazën tjetër, që është e ashtuquajtura njohje e ndërsjellë, që është e papranueshmne për neve”, ka thënë ai.

Mes tjerash Millovan Dreçun thotë se dialogu është i pamundur derisa nuk “përmbushen” marrëveshjet e Brukselit, në mesin e të cilave është edhe formimi i Asociacionit të Komunave serbe.

“Mua më duket se do të kemi vetëm tregime boshe ku do të ketë disa takime dhe nuk do të arrihet asnjë përparim”, ka thënë mes tjerash ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore