Kosova

Dorëheqjet e gjyqtarëve serbë nga Veriu, mbi 70 lëndë shpërndahen në komunat tjera


Mungesa e stafit në sistemin e drejtësisë në veri të Kosovës ka bërë që dhjetëra lëndë nga Gjykata Themelore e Mitrovicës të shpërndahen në komuna të tjera të Kosovës, thonë për Radion Evropa e Lirë nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës.

Në Gjykatën dhe në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë, të cilat mbulojnë edhe katër komunat veriore – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan – aktualisht janë duke punuar 15 gjyqtarë dhe 9 prokurorë.

Më shumë se 70 lëndë nga Gjykata Themelore e Mitrovicës tashmë janë shpërndarë në komuna të tjera të Kosovës.

“Nënkryetari i Gjykatës në Mitrovicë [Bekim Veliqi], sipas Kodit të Procedurës Penale, ka bërë kërkesë që disa gjykata t’i marrin në kompetencë disa lëndë. Është procedurë e rregulluar dhe ky proces është shfrytëzuar edhe më përpara”, thotë për Radion Evropa e Lirë kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj.

Bëhet e ditur se mbi 70 lëndët e shpërndara kanë të bëjnë me natyrën e krimeve të rënda dhe pritet të shqyrtohen nga departamentet përkatëse në ato gjykata.

“Asnjë mundësi objektive nuk kemi pasur ne, që të dërgojmë gjyqtarë në shqyrtimin e këtyre lëndëve në Mitrovicë”, sqaron Zogaj.

Para dorëheqjeve të cilat pasuan një vendim të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe – atje ishin 35 gjyqtarë dhe 19 prokurorë.

Më 7 nëntor, pas largimit të Policisë në Veri të Mitrovicës, deputetëve të Listës Serbe nga institucionet e Kosovës, janë larguar edhe gjykatësit dhe prokurorët serbë.

Ndryshe, largimi më i bujshëm është ai i rreth 400 policëve serbë të Kosovës në veri.

Situata ishte tensionuar në Veri të Kosovës vitin e kaluar pas arrestimit të ish-policit me kombësi serbe, Dejan Pantiç, i cili dyshohet për sulmin e 6 dhjetorit në zyrën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Veri.

Ai ishte larguar nga radhët e policisë bashkë me afër 600 të tjerë meqë kolektivisht vendosën ta braktisin forcën policore me urdhër politik të Listës Serbe për të lëshuar institucionet në të gjitha nivelet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore