Lajme

Donika Gërvalla zgjedhet kryetare e Listës Guxo, në Pejë


Donika Gervalla, Peje

Lista Guxo, e themeluar nga tash presidentja Vjosa Osmani dhe parti partnere e koalicionit qeverisës e pjesë e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, ka filluar zgjedhjen e kryetarëve të degëve nëpër Kosovë.

Këtë të shtunë, kryetare e degës në Pejë u zgjodh, Donika Gërvalla, zëvendëskryeministrja e Kosovës dhe ministrja e Punëve të Jashtme.

“Donika është një nga ato zërat që për 30-të vite, ka qenë aktiviste për lirinë e Kosovës dhe liritë universale”, ka shkruar ministri i Bujqësisë, Faton Peci, edhe ky pjesë e Listës Guxo.

“Medoemos që nuk do kishte si të ishte ndryshe Donika, duke qenë se ajo rrjedh nga një familje atdhetare e patriotike, një familje e cila ka shërbyer si udhërrëfyese për gjeneratat pasuese”.

Patjetër, Peci ka përmendur edhe babanë e ministres, patriotin Jusuf Gërvalla, duke thënë se Donika, njëjtë si i ati, ka pasur synim “afirmimin e Kosovës në botë dhe pasqyrimin e realitetit, të dhunës e shtypjes me të cilën janë përballur shqiptarët me vite nga pushtuesi serb”.

Lista Guxo

Po këtë të shtunë, është spekuluar në media, se një nga deputetet më të zëshme të Listës Guxo, Doarsa Kica, ka dhënë dorëheqje nga Lista.

Vetë deputetja s’e ka komentuar fare lajmin që u dha nga shumica e mediave në Kosovë.

Heshtja e saj është komentuar nga shumë kush si konfirmim i lajmeve për largimin e saj.

Guxo aktualisht është pa kryetar/e, meqë Osmani u bë presidente dhe me Kushtetutën e Kosovës s’mund të kesh pozitën e presidentes dhe njëkohësisht të udhëheqësh me parti politike, meqë presidenti përfaqëson figurën e unitetit politik e kombëtar.

Për një kohë, ishte menduar se Guxo thjesht do të shkrihej në Lëvizjen Vetëvendosje, por zgjedhja e kryetarëve të degëve dhe konsolidimi i strukturave partiake, është shenjë se Guxo e ka ndërmend të operojë si subjekt i veçantë politik.

Megjithatë, Guxo nuk ka shumë prospekt të mirë për të ardhmen e vet politike, pasi shumica e sondazheve që kanë matur pëlqyeshmërinë e partisë në publik e kanë nxjerru në shifra fare të vogla, rreth 1 e 1.5% të votës së përgjithshme.

Për t’u bërë pjesë e Parlamentit të Kosovës, një subjekti garues në Kosovë i duhen së paku 5% e votës së përgjithshme në zgjedhje, apo diku mbi 50 mijë vota – varësisht nga përqindja e përgjithshme i daljes në zgjedhje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore