Lajme

DOKUMENT – Ekskluzive në Albanian Post: Çka fshihet prapa Nenit 4 që u bë i patejkalueshëm për Vuçiç-in dhe si është paraparë zgjidhja?


Foto nga Albanian Post

Marrëveshja për Rrugën e Normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është pajtimi i arritur mes Albin Kurtit dhe Aleksandër Vuçiç, por me t’u kthyer në Beograd, presidenti serb tha se Neni 4 i saj është i patejkalueshëm për të.

Ose hiqet Neni 4 ose “i lëmë fare negociatat” tha Vuçiç, duke shtuar se “Serbia është e gatshme të punojë për zbatimin e shumë gjërave nga propozimi, por ne e bëmë një kundërshtim të qartë (Nenin 4)”.

Problemi është saktësisht me paragrafin e dytë të Nenit 4 ku thuhet se “Serbia nuk do të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë Organizatë Ndërkombëtare” dhe kjo për palën serbe ka nënkuptuar mos-kundërshtim të anëtarësimit të Kosovës në Organizatën Ndërkombëtare çka rrjedhimisht do përbënte njohje për Kosovën, sepse në OKB anëtarësohen vetëm kombet.

Albanian Post, nga burimet diplomatike të përfshira në proces dhe ndërtimin e mekanizmave për marrëveshjen dhe implementimin e saj, ka siguruar një dokument që gjerësisht e bën shpjegimin e kësaj pike.

Parë nivelin e debatit në Serbi dhe Kosovë për këtë nen dhe keqkuptimet e mëdha të ndërtuara si analiza, Albanian Post ka siguruar dokumentin shpjegues prapa Nenit 4.

Dokumenti për Albanian Post është një letër shpjeguese për “ekspertët” që lexojnë gabimisht dhe për liderët që keqkuptojnë.

A është saktësisht ky nen që i siguron njohjen Kosovës nga Serbia, apo është një keqlexim i plotë?

Pse është keqkuptuar kaq shumë ky nen?

Cilat janë rastet paraprake mbi të cilat bazohet dhe përse shpjegimi që po bëhet në Beograd e Prishtinë është shumë i mangët.

Nesër, e premte, Albanian Post, publikon në origjinal dokumentin shpjegues të hartuar nga diplomatët që kanë ndërtuar marrëveshjen e pajtuar me 27 shkurt në Bruksel.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore