Kosova

Dodik-Kurtit: “Pa politikat destabilizuese të tij rajoni do të ishte më i qetë”


Ilustrim

Anëtari serb i Presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës, Milorad Dodik, pretendon se nëse Kryeministri i Kosovës do të ndalonte siç e quan ai politikën e tij destabilizuese në raport me Ballkanin Perëndimor, atëherë i gjithë rajoni do të jetë i qetë.

Dodik, si një ultra-nacionalist i përbetuar dhe armik i vlerave perëndimore, i pyetur nga agjencia e lajmeve Srna – medium nga Republika Srpska në BeH- për të komentuar deklaratën e Kurtit se “entiteti serb në BeH është një kërcënim për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor”, ka thënë se “nga një kryeministër i ‘rremë’ i një ‘shteti të rremë’, nuk mund të pritet diçka tjetër”.

Dodik madje Kurtin e ka cilësuar si një politikan i cili nuk respekton marrëveshjet dhe destabilizon Veriun e Kosovës.

“Kur ai tashmë ka guxuar të komentojë për Republikën Srpska, atëherë do të ishte më e mençur të thuhet se Republika Srpska duhet të ketë të njëjtin status si Kosova”, ka thënë Dodik.

I pari i ekzekutivit kosovar në margjinat e Forumit Ekonomik të Delfit, pati deklaruar se Rusia ka interesim për vazhdimin e luftës dhe e sheh si rrezik jo vetëm për Moldavinë dhe Gjeorgjinë por edhe për Ballkanin Perëndimor nëpërmejt Serbisë.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore