Shqipëria

“Do t’i nxjerrim abuzimet me fondet publike, të përfshirë edhe politikanë”


Kreu i SPAK-ut, Arben Kraja, gjatë fjalës së tij në konferencën “Sfida dhe lufta ndaj korrupsionit”, tha se shumё shpejt do të bëhet evidentimi i abuzimeve me fonde publike.

“Jemi të vendosur për të ndaluar çdo pasuri kriminale, sepse është e paligjshme ta administrojnë dhe duhet të jetë e dënueshme. Kërkohet produkt më shumë në evidentimin e shkeljeve të fondeve publike. Bëhet fjalë për politikanë”, u shpreh Kraja.

Kreu i SPAK-ut tha gjithashtu se organi “në një kohë kaq të shkurtër, ka dhënë rezultatet e para”.

Ai e cilësoi risi faktin që SPAK ka kërkuar konfiskimin e pronave dhe parave që rrjedhin nga struktura kriminale.

Kraja theksoi se “operacioni ёshtё nё mirёn e vendit, sepse duhet të ikë imazhi i keq”, pasi nё Shqipёri, sipas tij, institucionet janё tё korruptuara.

Konferenca me titull “Sfida dhe lufta ndaj korrupsionit” ka bërë bashkë ministren e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, kryeprokurorin Kombëtar kundër Korrupsionit (DNA) në Rumani, Crin Bologa, ambasadorin e Bashkimit Evropian (BE), Luigi Soreca, dhe kreun e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit (SPAK), Arben Kraja.

Gjatë fjalës së saj, Gjonaj tha se Shqipëria po ndjek angazhimet e marra përsipër në Samitin e Berlinit.

“Lufta kundër korrupsionit është e vazhdueshme”, tha Gjonaj, ndërsa shtoi se “është e rëndësishme dhe ndërgjegjësimi i brezave të rinj”.

Për të eliminuar hapësirat korruptive, Gjonaj u shpreh se shërbimet do të bëhen sa më shumë online.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore