Stil

Dizajnerja shqiptare fiton çmimin më të madh të modës


Stilistja shqiptare, Nensi Dojaka, është shpallur fituesja e edicionit 2021 të çmimit “LVMH” për “Dizajnerët e Rinj”.

Ky çmim ju dha stilistes të martën e 7 shtatorit. Ajo kryesoi mes 1 mijë e 900 aplikantëve nga 110 vende të botës.

Çmimi përfshin një grant prej 300 mijë euro dhe një vit trajnim nga ekspertët e gjigantit luksoz LVMH Mowt Hennessy Louis Vuitton.

Çmimi “LVMH”, i cili u themelua në 2014-n, ka si qëllim të sigurojë talente të rinj nga e gjithë bota, me financime dhe lidhje të brendshme.

Për stilistët e rinj të modës, që përpiqen të bëjnë karrierë në industri, të dyja janë të paçmueshme.

Fituesit e mëparshëm janë: Thebe Magugu, Marine Serre dhe Grace Wales Bonner.

Viti i kaluar ishte një përjashtim. Finalja u anulua për shkak të pandemisë dhe të tetë finalistët, përfshirë Peter Do, Chopova Lowena dhe Tomo Koizumi, ndanë mes tyre paratë e çmimit të madh.

Me origjinë nga Shqipëria dhe me banim në Londër, Dojaka u diplomua në Central Saint Martins dhe filloi brandin e saj me të njëjtin emër në vitin 2017.

Ajo bëri emër në skenën e modës në Londër vitin e kaluar, përmes Fashion East – organizatë e përkushtuar për të ushqyer talente të reja të modës, duke u dhënë mundësi dizajnerëve për të organizuar një shfaqje në “Javën e Modës” në Londër.

Që nga kjo kohë, Dojaka u bë e njohur për veshjet e saj me rrip të hollë si spageti, frymëzuar nga vitet ‘90 dhe pjesët e endura të ndërtuara me kujdes.

Emra të tjerë të nominuar për çmimin e këtij viti ishin: Bianca Saunders, Charles de Vilmorin, Christopher John Rogers, Conner Ives, KidSuper nga Colm Dillane, Kika Vargas, Lukhanyo Mdingi dhe Rui nga Rui Zhou.

Dillane, Zhou dhe Mdingi u vlerësuan me Çmimin Karl Lagerfeld, secili fitoi një grant prej 150 mijë euro dhe një trajnim njëvjeçar.

Dojaka u zgjodh nga juria e drejtuesve të industrisë, përfshirë Marc Jacobs, Maria Grazia Chiuri të Dior, Kim Jones të Fendi, Virgil Abloh të Louis Vuitton, Stella Mçartney dhe Jonathan Anderson të Loewe.

Një nga yjet më të famshëm, Bella Hadid, zgjodhi stilisten Nensi Dojaka në daljen e saj në “MTV Video Music Awards” 2020.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore