Lajme

Dita e Kushtetutës, Haziri: Tepër shqetësuese vendimet anti-kushtetuese të Qeverisë Kurti


Lutfi Haziri

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, nëpërmjet një postimi në llogarinë e tij në Facebook, tha se Qeveria e Kosovës nën drejtimin e kryeministrit Albin Kurti, brenda dy viteve të qeverisjes ka nxjerrë një numër vendimesh anti-kushtetuese.

Ai këto komente i ka bërë me rastin e shënimit të 15-vjetorit të ratifikimit të Kushtetutës së Kosovës, duke shtuar se përtej shkeljes së aktit më të lartë juridik të vendit, ekzekutivi kosovar nuk ka zbatuar një numër të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.

“Në 15-vjetorin e ratifikimit të Kushtetutës së Republikës, aktit më të lartë juridik të shtetit, fatkeqësisht e kemi një Qeveri që brenda dy viteve ka nxjerrë vendime anti-kushtetuese në disa raste dhe kjo është tepër shqetësuese”.

“Po ashtu, nuk kanë zbatuar një numër të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Politikbërësit duhet ta kenë Kushtetutën si udhërrëfyes për vlerat demokratike e parimet udhëheqëse, ndërkaq qytetarëve u garantohet liria me të drejta të barabarta për secilin”, shkroi Haziri.

Në këtë kontekst, ish-kryetari i Gjilanit gjithashtu përmendi edhe parullën e famshme gjatë demonstratave të shqiptarëve në vitet ’80 kur edhe filloi suprimimi i autonomisë së Kosovës dhe të Kushtetutës së vitit 1974 nga Republika Socialiste Federative e Jugosllavisë.

“Nuk e harrojmë thirrjen gjithëpopullore nga koha e rezistencës dhe kryengritjes politike: Republikë, Kushtetutë, ja me hatër ja me luftë!”, shkroi ndër të tjera Haziri, duke iu referuar shkeljes së Kushtetutës së Kosovës nga qeveritarët.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore