Lajme

“Dita e 60-të nën sanksione”, Selmanaj: Miliona euro të bllokuara, pasojë e mendësisë komuniste e totalitare


Driton Selmanaj

Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Driton Selmanaj, nëpërmjet një postimi në llogarinë e tij në “Facebook”, ua ka kujtuar qytetarëve të vendit se këtë të diele janë bërë plot 60 ditë prejse Bashkimi Evropian (BE) ka vendosur “masa ndëshkuese” ndaj Qeverisë së Kosovës të udhëhequr nga Albin Kurti.

Qeveria e Kosovës aktualisht po përballet me “shkopinj të rëndë” për shkak të nxitimit të pakujdesshëm të zyrtarëve institucionalë dhe degjenerimit të bashkëveprimit diplomatik me bashkësinë e organizuar ndërkombëtare, ndërsa deputeti i LDK-së ka ngritur paralele mes shteteve komuniste njëpartiake marksist-leniniste.

Për shkak të “masave ndëshkuese” është pezulluar pjesëmarrja e Kosovës në ngjarjet e nivelit të lartë dhe vizitat dypalëshe nga BE-ja, ndërsa janë pezulluar edhe një pjesë e financimit nga ana e BE-së në disa projekte për të cilat ka dhënë propozime Kosova në kuadër të fondit investues për Ballkanin Perëndimor.

Selmanaj ka konsideruar se për pasojë të “masave ndëshkuese” deri më tash janë bllokuar miliona euro për projekte kapitale të nivelit qëndror dhe lokal, derisa në të njëjtën kohë janë bllokuar edhe njohjet dhe anëtarësimet e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

“Janë bllokuar miliona euro për projektet për ndërmarrjet publike; janë bllokuar njohjet dhe anëtarësimet në organizatat ndërkombëtare; janë bllokuar vizitat e bartësve të institucioneve publike në shtetet demokratike dhe institucionet ndërkombëtare”, ka shkruar deputeti Selmanaj.

Autoritetet kosovare janë në pritje të njoftimit të BE-së për heqjen e “masave ndëshkuese”, pas ujdisë së arritur në Bratisllavë të Sllovakisë dhe tërheqjes së 50 për qind të forcave speciale policore nё dhe rreth ndërtesave komunale në katër komunat veriore, por nga BE-ja kanë thënë se janë në pritje të hapave të mëtejshëm.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore