Kosova

“Disa gjëra do të korrigjohen”, Gjukanoviç për demarkacionin me Kosovën


“Komisioni i përbashkët do të dalë në terren duhet ta vizatojë në mënyrë precize këtë kufi dhe nëse në këtë çështje tregohet se është e logjikshme se disa gjëra duhet të korrigjohen dhe aty ekziston marrëveshja e dy palëve kjo nënkupton se do të bëhet në frymën e miqësisë dhe respektit të interesave të ndërsjella”, ka thënë Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviç, gjatë një interviste në RTK.

“Ashtu siç e thashë marrëveshja për demarkacion ndërmjet dy vendeve tona është miratuar. Pas kësaj vazhdon pjesa teknike e punës. Unë nisem gjithmonë nga pika se Mali i Zi dhe Kosova janë miq dhe në mënyrë të përgjegjshme do ta ruajmë miqësinë tonë”, shtoi Gjukanovoiç.

Ndërkaq deklaratën e kryeministrit të Malit të Zi, Dritan Abazoviç, se çështja e demarkacionit me Kosovën ka marr fund, e ka vlerësuar “si mungesë të precizitetit apo si interpretim të gabuar”.

“Kushdo që kryen punë serioze shtetërore në Malin e Zi respekton atë që janë obligimet e marra paraprakisht. Obligimi i parë që kemi marrë është ai që është përcaktuar me Marrëveshjen e Demarkacionit në vitin 2015, gjithashtu ekziston edhe deklarata e përbashkët që e ka nënshkruar edhe presidenti i Malit të Zi, Vujanoviç dhe jam i sigurt se jo vetëm unë por edhe kryeministri Abazoviç do t’i respektojë obligimet e marra dhe të nënshkruara të vendit tonë”.

Ai ka potencuar se do t’i shqyrtojnë me shumë seriozitet çështjet e hapura që kanë mbetur.

Gjukanoviç ka rikujtuar se dy presidentët Vujanoviç dhe Thaçi në vitin 2018 e kanë miratuar një deklaratë të përbashkët, ku janë nisur nga fakti se është nënshkruar  marrëveshja e cila duhet të ratifikohet në kuvendet e të dyja shteteve për të formuar më pas një Komision të përbashkët, i cili do të merret me demarkacionin në kuptimin teknik.

“Nëse më pyesni nëse kjo çështje është zgjidhur, përgjigja ime është ‘Po’, dhe nëse duhet ta përmbyllim këtë proces të demarkacionit në terren sepse akoma nuk është mbyllur përgjigja ime është sërish ‘Po’. Besoj se në të ardhmen e afërt do ta përmbyllim këtë çështje”, ka shtuar Gjukanoviç.

Ndryshe, Gjukanoviç po qëndron për vizitë zyrtare në Kosovë.

Ai është takuar me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi.

Gjukaniviç, gjatë qëndrimit të tij dy-ditorë në Kosovë pritet të takohet edhe me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufcën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore