Lajme

Diplomati holandez reagon ndaj deklaratave të Bërnabiç-it: Dëshmia e radhës së lojës dinake që po bën Serbia


Robert Bosch

Deklarata e kryeministres së Serbisë, Ana Bërnabiç-it në panelin e liderëve të Ballkanit Perëndimor në kuadër të Forumit Strategjik që u mbajt në Bled të Sllovenisë, se “Kosova nuk është shtet i pavarur”, për ish-ambasadorin e Holandës në Kosovë, Robert Bosch, është dëshmia e radhës së lojës dinake që po bën Serbia në raport me procesin e dialogut i udhëhequr nga Bashkimi Evropian.

Sipas diplomatit holandez tashmë është e qartë se për Beogradin zyrtar normalizimi do të thotë “Kosova pjesë e Serbisë”.

“Kur do ta kuptojnë këtë ndërkombëtarët. Vuçiç e hodhi poshtë marrëveshjen e Ohrit në të njëjtën ditë kur u hartua dhe as nuk u qortua për këtë. Kur do të kemi drejtësi në rajon?”, ka pyetur ai në një postim në rrjetin e tij social në Facebook.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në po të njëjtën panel në Bled të Sllovenisë, foli në lidhje me hapat që ka ndërmarrë Qeveria e Kosovës për de-eskalimin e situatës në pjesën veriore të vendit të banuar me shumicë serbe dhe rrugën drejt integrimeve evropiane.

Ai tha se normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë është shumë i vështirë për shkak se politikanët atje nuk janë distancuar akoma as nga lideri fashist serb Slobodan Millosheviç e as nga presidenti rus Vladimir Putin, i cili ka nisur një agresion të paprovokuar kundër Ukrainës në shkurt të vitit të kaluar.

Derisa i është përgjigjur ankesave të kryeministres serbe Ana Bërnabiç se autoritetet kosovare nuk janë duke i zbatuar marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut, kryeministri Kurti ua ka kujtuar të pranishmëve se përderisa mbështetja për Bashkimin Evropian (BE) është 94 për qind në Kosovë, situatë e njëjtë nuk është në Serbi.

“Mbështetja për BE-në në Kosovë është 94 përqind, kurse në Serbi është 36 për qind. Ne kemi vendosur sanksione ndaj Rusisë, ndërsa Serbia as nuk i merr në konsideratë. Nuk janë distancuar as nga Millosheviçi e as nga Putini. Pra nuk është e lehtë për neve”, ka theksuar kryeministri Kurti.

Shefi i ekzekutivi shtoi se dëshiron t’i normalizojë marrëdhëniet me Serbinë, porse në mënyrë ironike ka shtuar se më lehtë do të normalizoheshin marrëdhëniet nëse Kosova për fqinjë do t’i kishte çekët e jo serbët, megjithëse nuk e ka përjashtuar që – megjithatë – edhe me fqinjin verior mund të normalizohen marrëdhëniet.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore