Lajme

Dështimi në heqjen dorë nga karburantet fosile është ‘dënim me vdekje’ për të varfrit, thotë Thunberg


Vendet e pasura po nënshkruajnë një “dënim me vdekje” për miliona njerëz të varfër në mbarë botën duke dështuar në heqjen dorë nga karburantet fosile.

Kështu u ka thënë qeverive aktivistja për klimën Greta Thunberg.

Ajo ka paralajmëruar se me emetimet vjetore të gazeve serrë në nivelin më të lartë të të gjitha kohërave, vetëm një ndërprerje “e shpejtë dhe e barabartë” e lëndëve djegëse fosile do të mbante temperaturat globale brenda kufirit të këshilluar shkencërisht prej 1.5 gradë Celsius mbi nivelet para-industriale.

Muajt dhe vitet e ardhshme do të jenë vendimtare për atë se si duket e ardhmja.

“Është ajo që ne vendosim tani që do të përcaktojë të ardhmen e pjesës tjetër të njerëzimit”, ka thënë ajo në një konferencë për shtyp në bisedimet e OKB-së në Bon, ku qeveritë po takohen për të diskutuar krizën klimatike.

“Nëse nuk heqim dorë nga lëndët djegëse fosile, do të jetë një dënim me vdekje për njerëz të panumërt. Tashmë është një dënim me vdekje për njerëz të panumërt”, ka theksuar ajo.

Thunberg më herët ka njoftuar përfundimin e grevave të saj në shkolla, të cilat ajo i ka ndërmarrë të premteve që nga viti 2018 në shenjë proteste ndaj mosveprimit politik ndaj krizës klimatike.

Aktivistja ka lënë shkollën, por synon të vazhdojë të flasë për çështjet e klimës, duke i dhënë gjithashtu në qendër të vëmendjes zërat e të rinjve nga bota në zhvillim.

Sipas saj, mungesa e vullnetit politik për të ndaluar eksplorimin dhe përdorimin e karburanteve fosile po kërcënon të rrisë temperaturat globale me më shumë se 1.5 gradë Celsius mbi nivelet para-industriale.

Çka mund të çojë klimën të kalojë “pikat e kthesës”.

Çështja e heqjes së lëndëve djegëse fosile pritet të jetë një pikë e ndezur në bisedimet e klimës të OKB-së Cop28 këtë vit.

Samiti do të zhvillohet në Dubai, i organizuar nga Emiratet e Bashkuara Arabe, një prodhues i madh i naftës dhe gazit.

Shumë vende dëshirojnë të shohin që Cop28 të prodhojë një rezolutë formale për të hequr gradualisht karburantet fosile, ose të paktën për të diskutuar një ndërprerje të tillë si një pikë zyrtare e rendit të ditës në samit.

Por disa vende, kryesisht prodhues të lëndëve djegëse fosile, duke përfshirë Arabinë Saudite, janë ashpër kundër dhe presidenca e Emirateve të Bashkuara Arabe ka qenë e kujdesshme, duke thënë se nuk ka ende marrëveshje për rendin e ditës.

Kryesuesi i bisedimeve do të jetë Sulltan Al Jaber, një ministër në qeverinë e Emirateve të Bashkuara Arabe, i cili është gjithashtu shef i kompanisë kombëtare të naftës të vendit, Adnoc.

Kjo e fundit po planifikon një zgjerim masiv të kapacitetit të prodhimit të karburanteve fosile.

Sakaq, bisedimet në Bon, të cilat nisën të hënën e kaluar dhe do të përfundojnë të enjten, do të hedhin bazat për Cop28, konferencën e palëve në kuadër të konventës kuadër të OKB-së për ndryshimet klimatike, e cila fillon më 30 nëntor.

Por progresi në Bon ka qenë i ngadaltë.

Diskutimet e javës së kaluar u karakterizuan nga mosmarrëveshjet mbi vendet e pasura që po dështojnë të ofrojnë ndihmë financiare për vendet në zhvillim, për t’i ndihmuar ato të ulin emetimet e gazrave serrë dhe të përballen me ndikimet e krizës klimatike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore