Lajme

Dëshmitari në gjykimin për krime lufte në Istog: Paramilitarët serbë më kishin hedhur në një grumbull kufomash


Foto nga arkivi.

Dëshmitari Naim Elshani, të mërkurën ka dëshmuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë për gjykimin e krimeve të luftës në Istog, duke treguar se si paramilitaret serbë e kishin hedhur në një grumbull kufomash.

Seanca është mbajtur ndaj të akuzuarit për krime lufte në Istog, Ekrem Bajroviç.

Elshani,  ka sqaruar se përkundër kërcënimeve nga komandanti i stacionit policorë në Gurakoc, Millosh Stojkoviç që të lëshojnë shtëpitë e tyre nga fshati, ata kishin rezistuar duke mos u larguar.

“Në një moment ishin grumbulluar rreth 30 mijë njerëz në një livadh të madh, që ishin civil  nga Peja dhe Drenica dhe emi ndaluar nga paramilitarët serbë që ishin të armatosur dhe ishin vendosur përreth një muri të një shkollë në rrugën për qytetin e Klinës për të na plaçkitur”.

“Këta paramilitar aty në mes të oborrit e kanë rrahur personin me emër Hasan Elshani”, ka thënë ai në seancë.

Elshani, tha se arsyeja e maltretimit të Hasan Elshanit, qëndron ngase të njëjtin sistemi i atëhershëm serb e akuzonte për bartje të armeve ilegalisht.

“Në një moment kur isha mbështetur për muri e kisha parë të akuzuarin Bajroviç të veshur me uniform të policisë dhe se nga personat që ishin të mbështetur për muri e kishte tërhequr për ta shpëtuar personin me emrin Ahmet Elshanin”, ka thënë ai.

Sipas dëshmitarit Elshani, kjo ishte bërë pasi që gruaja e Ahmet Elshanit ishte me nacionalitet boshnjak, siç është edhe i akuzuari Bajroviç.

Pas kësaj situate, ai tha se, “nuk kishte ndjerë dhimbje apo krismë”, duke shtuar se “pavetëdije e kishte parë vetën mbi kufomat e njerëzve sa që ishte i mbuluar me njërën nga to”.

Gjatë luftës në Kosovë në vitet 1998-1999 rreth 13 mijë njerëz nga të gjitha bashkësitë etnike u vranë, mbi 800 mijë u zhvendosën dhe rreth 1 mijë e 600 janë të zhdukur.

Qindra trupa të shqiptarëve të vrarë të Kosovës janë gjetur në varreza masive në Serbi. Deri më tani nga Serbia në Kosovë janë kthyer rreth 1 mijë mbetje mortore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore