Lajme

Deputeti opozitar, Radojiçiç-it: Je ti dhe Lista Serbe që po i terrorizoni serbët e Kosovës


Nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radojiçiç, është parë në parlamentin e Serbisë gjatë seancës së jashtëzakonshme për “çështjen e Kosovës”, të martën e 13 shtatorit.

Siç raporton mediumi serb ‘Danas’, ai ishte rehatuar në pjesën e rezervuar për pjesëtarët e Listës Serbe, diplomatët dhe mysafirët e Kuvendit.

Ishte shefi i grupit parlamentar të Partisë Popullore, Miroslav Aleksiç, ai i cili ia prishi këtë rehati, duke thënë se është pikërisht Lista Serbe në krye me Radojiçiç-in, ata që po shtypin serbët që jetojnë në Kosovë.

“Sot thatë se anëtarët e Listës Serbe janë përfaqësues të serbëve. Nuk janë, janë në pushtet me Kurtin. Shqiptarëve ju ua dhatë pushtetin në tërë Kosovën dhe popullin e latë në mëshirën e njerëzve të Listës Serbe në krye me Milan Radojiçic-in”, ka deklaruar Aleksiç.

Deputeti opozitar, ia kujtoi presidentit serb, Aleksandër Vuçiç-it, faktin se Radoiçiç është në listën e zëzë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe kërkohet nga autoritetet kosovare.

“Ai është në listën e zezë të SHBA-së dhe për të është lëshuar një urdhër arrest. Sot është ai që i shtyp dhe i ngacmon serbët në Kosovë, vendos nëse dikush do të ketë punë apo jo, a do të ketë dru, sa do të jetë rroga e dikujt”, nënvizoi ai.

Ndryshe Radojiçiç, akuzohet edhe për vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviç.

Ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla, personin kriminal, Milan Radojiçiç e kishte lidhur së fundmi edhe me sulmin që ngjau në Veri ndaj zyrtarëve policorë të Kosovës nga kontrabandues të mallrave.

Radojiçiç një kriminel në arrati nga autoritetet kosovare së fundmi ishte futur edhe në Listë të Zezë nga Departamenti i Thesarit të ShBA-së.

Në mbrojte të tij pati dalë edhe Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Ai në komentin e sipër të vendimit të SHBA-ve pati thënë se autoritetet kompetente të Serbisë do të hetojnë gjithçka nëse ka ndonjë akuzë të rëndë ndaj tij.

Autoritetet gjyqësore të Kosovës janë në kërkim të Radojiçiç-it që nga nëntori i vitit 2018, kur Policia e Kosovës tentoi ta arrestojë në lidhje me vrasjen e Oliver Ivanoviç-it, por të njëjtin nuk e gjeti në banesë. Që atëherë, autoritetet e Kosovës kanë qenë në kërkim të tij.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore