Lajme

Deputeti gjerman: Të shqyrtohet mundësia e shtimit të trupave të KFOR-it në Veri


Deputeti gjerman njëherësh edhe raportues i grupit parlamentar i SPD-së, Adis Ahmetovic.

Deputeti gjerman njëherësh edhe raportues i grupit parlamentar i SPD-së, Adis Ahmetovic, i ka quajtur “të papërgjegjshme” ngjarjet dhe sulmet e ndodhura ndaj ushtarëve të KFOR-it dhe civilëve në veri të Kosovës.

Përmes një deklarate publike ai ka kërkuar që të shqyrtohet mundësia që të shtohet numri i trupave të KFOR-it në Kosovë.

“Sulmet e djeshme gjithashtu bëjnë të qartë se KFOR-i është ende i nevojshëm pas 24 vitesh për të ofruar stabilitet dhe siguri”.

“Një rritje në kontingjentin ekzistues të trupave duhet gjithashtu të shqyrtohet në dritën e situatës aktuale, në mënyrë që të jetë në gjendje të ndërhyjë më me vendosmëri në rast emergjence”, është thënë ne deklaratën e deputetit gjerman.

Deklarata e deputetit gjerman.

Ndërsa, ka thënë se tensionet e ndodhura në Veri kanë treguar edhe një herë se palët duhet të kthehen në tryezën e bisedimeve.

“Sulme të tilla të paprovokuara ndaj forcës paqeruajtëse duhet të dënohen në termat më të ashpër të mundshëm. Në të njëjtën kohë, ato janë dëshmi e mëtejshme se të gjitha palët e përfshira më në fund duhet të kthehen në tryezën e bisedimeve për t’i dhënë fund spirales së dhunës që është përshkallëzuar sërish gjatë vitit të kaluar”.

“Të dyja vendet po kërkojnë anëtarësimin në BE, por pa një marrëveshje themelore kjo do të mbetet e kotë për të dyja”.

Ndër të tjera, ka shtuar se misioni i KFOR-it është dhe mbetet i paanshëm në misionin e tij për “demokraci dhe siguri”.

Dita e dytë që serbët po protestojnë

Është dita e dytë me radhë që serbët në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok po protestojnë, duke kundërshtuar kryetarët e rinj shqiptarë.

Kërkese e tyre po ashtu është që të tërhiqen njësitë speciale të Policisë së Kosovës nga veriu i Kosovës.

Më 26 maj, tensionet në Veri u rritën, atëherë kur krerët e rinj të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut, kishin hyrë nën përcjelljen e policisë në ndërtesat komunale.

Ndërkaq, më 29 maj, protestuesit u përleshën me trupat e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR.

Nga kjo përleshje 41 trupa të KFOR-it u lënduan dhe dhjetëra protestues.

Nga pamjet që vijnë nga Zveçani ishte parë një numër i ushtarëve të shtrirë në tokë, pas lëndimeve të marra.

Ambasadorët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës e Britanisë së Madhe kanë kërkuar që të ndalet menjëherë dhuna ndaj pjesëtarëve të KFOR-it.

Kryetarët e rinj shqiptarë u zgjodhën në zgjedhjet e parakohshme të 23 prillit.

Këto zgjedhje u mbajtën pas dorëheqjes së kryetarëve të mëparshëm komunale nëntorin e 2022.

Kryetarët e mëparshëm vinin nga Lista Serbe partia kryesore e serbëve në Kosovë, e cila nuk mori pjesë në zgjedhje dhe procesi u bojkotua nga serbët lokalë.

Policia e Kosovës, të martën situatën në komunat veriore e ka përshkruar “si të brishtë”, por që nga ky institucion i sigurisë është thënë se po vazhdohet të punohet për stabilizimin e situatës dhe ruajtjen e sigurisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore