Kosova

Çeku: S’kam përgjigje zyrtare nga Kisha Serbe për vlerësimin e dëmeve në Manastirin e Banjës


Manastiri i Banjës

Kur kanë kaluar një muaj pas sulmit terrorist të 24 shtatorit, ende nuk ka përfunduar vlerësimi i dëmeve të shkaktuara në Manastirin e Banjës ku u strehuan grupi terrorist, meqë dioqeza Rashkë-Prizren nuk e ka njoftuar Ministrinë e Kulturës.

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, në një intervistë për KosovaPress, ka thënë se janë të gatshëm për bashkëpunim, pasi sipas tij, është në pyetje trashëgimia kulturore dhe fetare e Kosovës.

“Deri në këtë moment që po flasim, unë nuk kam asnjë përgjigje zyrtare nga Kisha Ortodokse Serbe në Kosovë”, tha ai.

Por, Çeku theksoi se në këtë drejtim, “ne do të vazhdojmë të jemi edhe insistues”.

“Do t’i kryejmë detyrat tona ligjore dhe institucionale për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore”, potencoi ai.

Por, në fillim të këtij muaji, Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit i kishte reaguar Çekut për punën e renovimit të Manastrit të Banjës, duke thënë se dëmet në Manastir s’kanë prekur pjesën historike, prandaj do t’i rregullojnë ato vetë.

“Ne e gjykojmë të nevojshme për të informuar opinionin se Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit tashmë ka siguruar mjetet e nevojshme për këto riparime, falë një donacioni nga Fondacioni i Manastirit Hilandar dhe se së shpejti do të riparohen dëmet”, thuhej në reagimin e tyre.

Një grup i armatosur të dielën e 24 shtatorit, kishte sulmuar Policinë e Kosovës në Banjë të Zveçanit, duke lënë të vrarë rreshterin, tanimë heroin Afrim Bunjaku.

Nga shkëmbimet me armë zjarri, Policia e Kosovës kishte asgjësuar katër terroristë, teksa gjashtë të tjerë i arrestoi.

Autoritetet e Kosovës kanë akuzuar drejtpërdrejtë Serbinë se qëndron prapa këtij sulmi terrorist, teksa kryekrimineli Milan Radojiçiç – njeri i besuar i presidentit serb Aleksandër Vuçiç – ka marrë përgjegjësinë për këtë sulm.

Radojiçiç ishte arrestuar nga autoritetet serbe, mirëpo i njëjti një ditë më pas është liruar nga paraburgimi.

Lidhur me sulmet terroriste, organet e rendit kanë sekuestruar arsenal armësh në Zveçan, të cilat u publikuan nga Policia pas sulmit, vlera e të cilave kapte shifrën 5 milion euro.

Vendet perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian e kanë dënuar këtë sulm, derisa kanë kërkuar që përgjegjësit të sillen para drejtësisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore