Gjykata Speciale

Deklarimet e Gjinovcit dhe komentet në Facebook – “E pa pranueshme që Prokuroria në Hagë iu referohet qëndrimeve të analistëve”


Foto nga Albanian Post

Në parashtrimin e kërkesës për zgjatjen e paraburgimit për Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin që po mbahen në Hagë nga Gjykata Speciale nën akuzat për krime lufte, janë përdorur si argumente edhe komente të Facebook-ut dhe deklarime të analistit Rron Gjinovci, por kjo për avokatin Artan Qerkini, është krejtësisht e papranueshme.

“Është në tërësi e pa pranueshme qe prokuroria t’i referohet Facebook-ut apo qëndrimeve të analistëve. Analistët nuk përfaqësojnë askënd përveç vetes së tyre”, ka thënë Qerkini në një përgjigje për Albanian Post.

Prokuroria, duke dashur të dëshmojë se Selimi e Krasniqi duhet të vazhdojnë të qëndrojnë në paraburgim, sepse mund të ndërhynë në proces nëse lihen të mbrohen në liri, ka përdorur edhe një deklaratë të Gjinovcit në emisionin Konfront në KTV ku thoshte se në Kosovë “ka terror të fjalës së lirë” dhe tregonte se po merr kërcënime kur po flet për zhvillimet e Speciales.

Por, Qerkini thotë se “analistët japin opinione, që do të thotë qëndrimet e tyre nuk janë qëndrime të organeve kompetente të Kosovës, e as qe bazohen në ndonjë hulumtim shkencore”, rrjedhimisht diçka e tillë s’do të duhej të përfshihej në arsyetime që dorëzon prokuroria.

Ndërsa gjatë kësaj të hëne, në një përgjigje me shkrim për Albanain Post, Angela Griep, zëdhënësja e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, ka thënë se gjykata ende nuk ka vendosur për këtë kërkesë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

“Gjyqtarët ende nuk kanë marrë një vendim për këtë çështje”, pohoi ajo.

Më tej, Griep ka treguar se sipas ligjit, parashihet që “çdo dy muaj Paneli që merret me rastin të shqyrtojë nëse ekzistojnë ende arsyet për paraburgimin e një të akuzuari dhe të nxjerrë një aktvendim me të cilin paraburgimi ose vazhdohet ose ndërpritet”.

“Për të përcaktuar nëse arsyet për paraburgim ekzistojnë ende, gjyqtarët duhet të përcaktojnë nëse vazhdon të ekzistojë rreziku i arratisjes, rreziku që i akuzuari mund të pengojë mbarëvajtjen e procedurës ose rrezikun që i akuzuari mund të kryejë krime të mëtejshme”, ka thënë Griep për Albanian Post.

Por, para se Paneli të marrë vendimin e tyre, të dyja palët, mbrojtja dhe Prokuroria mund të ofrojnë argumentet e tyre përkatëse për këtë çështje në një parashtresë me shkrim”, ka përfunduar zëdhënësja e Dhomave të Specializuara në Hagë.

Ndryshe në parashtrimin e Prokurorisë citohet Gjinovci në emision duke folur për “terrorin” ndaj fjalës së lirë në Kosovë.

Prokuroria thotë se Gjinovci “i ftuari vazhdoi të tregojë reagimet ndaj një videoje që ai kishte postuar së fundmi në internet, e cila kishte marrë mbi 1400 komente, shumica e të cilave ishin negative, dhe shumë prej të cilave e etiketonin atë me termat e mësipërm, disa shkuan deri aty sa e kërcënon fizikisht”.

Specialja akoma s’ka vendosur nëse deklarimet e Rron Gjinovcit dhe komentet në statusin e tij përbëjnë bazë të mjaftueshme që t’u vazhdohet paraburgimi Selimit e Krasniqit

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore