Lajme

Deklarata kamikaze, ofenduese, brutale, agresive, jo-diplomatike e Kurtit ndaj Blinken s’do të falet lehtë


Albin Kurti dhe Antony Blinken

Për njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare kundërpërgjigja e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit ndaj deklaratave të Sekretarit Amerikan të Shtetit, Antony Blinken – në një situatë ku raportet Kosovë-SHBA janë të acaruar –  duke e cilësuar këtë të fundit “naiv” e deklaratën e tij të “gabuar, të padrejtë e lënduese”, është brutale dhe agresive.

Deklarimi i shefit të ekzekutivit ndaj numrit dy të Administratës Amerikan, për analistin politik dhe ish-bashkëpartiakun e Kurtit, Visar Ymerin, nuk mund të kategorizohet as si kritikë e as si mospajtim për një politik të caktuar, por thjesht si një ofendim tipik.

“Ta quash Sekretarin e Shtetit Amerikan naiv është absolutisht skandaloze. Pra shefin e Ambasadorit Hovenier i cili muaj më parë ia kishte dhënë disa informata Kurtit të cilat Kryeministri ynë nuk i ka ditur”, thotë Ymeri për Albanian Post.

Në anën tjetër për sociologun dhe analistin politik, Artan Muhaxhiri, artikulimi i kryeqeveritarit në një medium prestigjioz ndërkombëtar nuk është asgjë tjetër veç kamikazllëk politik.

Kjo qasje e Kurtit ndaj Blinken, sipas Muhaxhirit, nuk ka logjikë politike, sepse s’është e bazuar në pushtetet reale të shtetit të Kosovës, as në ndonjë strategji për ndryshime fundamentale të orientimeve vlerore dhe krijim të aleancave të reja.

“Me deklarimin e tij ai e ka kaluar Rubikonin e Normalitetit në raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke e shndërruar veten në kundërshtar të hapur të Superfuqisë. Gjë që asnjëherë nuk është e rekomandueshme për cilindo lider shtetëror që synon qeverisje të mirë dhe zhvillimore. Administrata amerikane nuk do t’ia falë këtë mosrespekt të shprehur në mediat globale, përkundër kontakteve e tentimeve preliminare për marrëveshje dhe ekzistimit të hapësirave dialoguese”, thotë Muhaxhiri për AP.

Për Muhaxhirin Kurti ndoshta me deklaratën e dhënë ndaj Blinken – nga një perspektivë mitomanike – synon të pozicionohet në historinë politike kosovare si liderë që u kacafytë dhëmb-për-dhëmb me Amerikën.

“Në çdo skenar të ardhshëm Kryeministri Kurti do të dalë humbës: nëse e vazhdon këtë këmbëngulje do ta minojë edhe më shumë imazhin e tij në sytë e partnerëve ndërkombëtarë, kurse në rast të zmbrapsjes do të dëshmojë se kjo aventurë ishte vetëm naivitet i rrezikshëm. Tensionet nuk mund të vazhdojnë gjatë”.

Gjithë në këtë mes, sipas Muhaxhirit, gjasat më të mëdha janë që Kurti të aplikojë ndonjë gjetje kozmetike shumëkuptimshme, e cila do t’i shtrohej si urë afatshkurtër për ta kaluar këtë bllokadë që ka shkaktuar probleme të panumërta në dialog dhe planifikimet e dinamikave të pastajme.

Se deklarata e Kurtit drejtuar shefit të diplomacisë amerikane është e pamatur dhe mbi të gjitha jo-diplomatike e thotë edhe ligjëruesi i shkencave politike, Dritëro Arifi.

“Ka pasur 1 milionë mënyra që t’i jepet një kritik në mënyrë diplomatike pa e kuptuar që është e tillë mirëpo Kurti e ka thënë në mënyrën më brutale dhe agresive. Kosova nuk e ka fuqinë e Gjermanisë apo të Izraelit që herë pas here të ndërmerr veprime të njëanshme pavarësisht politikës së jashtme të SHBA-së”, pohon Arifi për AP.

Visar Ymeri, Artan Muhaxhiri, Dritëro Arifi

Ditë më parë situata në Veri të Kosovës u përshkallëzua pas vendimit të Qeverisë për të vendosur kryetarët në ndërtesat e komunave të Zubin Potokut, Zveçanit dhe Leposaviqit nën asistencën e Policisë së Kosovës, pa koordinim me komunitetin ndërkombëtar.

Pjesa kryesore e bashkësisë ndërkombëtare, nga Sekretari i Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës deri te qëndrimi i përbashkët i vendeve të QUINT-it, e cilësuan këtë veprim si vendosje e masave të dhunshme në Kosovë.

DASH-i dënoi atë çfarë ndodhi në Veri duke vënë në pikëpyetje edhe marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe SHBA-së. Reagim pothuajse të njëjtë patën edhe ambasadorët e shteteve të QUINT-it të cilët bënë thirrje autoriteteve të Kosovës që në mënyrë imediate të tërhiqen dhe ta de-përshkallëzojnë situatën në Veri.

Në anën tjetër Ambasadori i SHBA-ve, Jeffrey Hovenier, në një bisedë me gazetarët në ndërtesën e Ambasadës Amerikane në Kosovë, pohoi se vendimet e fundit të Qeverisë së Kosovës, janë duke ndikuar drejtpërdrejtë në përkeqësimin e marrëdhënieve mes dy vendeve – diçka që asnjëherë nuk është thënë më parë.

Top-diplomati amerikan madje njoftoi përjashtimin e Kosovës nga stërvitja ushtarake ndërkombëtare i udhëhequr nga NATO “Defender Europe 23” si pasojë e parë për Qeverinë e Kosovës pas vendimeve të njëanshme të saj në Veri.

Për Ymerin tashmë përpos që është e qartë që raportet SHBA-Kosovë janë të acaruara si kurrë më parë, sanksionet ndaj Kosovës sidomos ato financiare, nga sponsori i pavarësisë së vendit mund të shkojnë duke u rritur.

“Është e qartë që raportet SHBA-Kosovë nuk kanë qenë kurrë më të acaruara. Kjo na u tha në mënyrë të qartë dhe pa kurrfarë mundësie interpretimi dje nga ambasadori amerikan në Kosovë. SHBA-të tash për tash e deri në një vendim të dytë nuk e përkrahin Kosovën në asnjë nevojë tonën ndërkombëtarisht. As nuk bashkëpunojnë me Kosovën në rrafshin e sigurisë siç u përjashtuam këto ditë nga stërvitja ushtarake ‘Defender Europe 23’. Dhe këto mund të jenë vetëm fillimi i sanksioneve të cilat mund të shtrihen edhe te ndihma financiare”, shton ai.

Përveç ndëshkimit nga SHBA-të, Ymeri, beson se Kosova mund të pranojë një “shuplakë të nxehtë” edhe nga Bashkimi Evropian.

“Njëkohësisht një pako sanksionesh raportohet se po përgatitet edhe nga BE -ja, në rast se Kosova (dhe Serbia) nuk e pranojnë udhërrëfyesin për deeskalim që pritet ta propozojnë kryenegociatorët”.

Se raportet SHBA-Kosovë pas situatës së krijuar në Veri janë në gjendje jashtëzakonisht negative e thotë edhe Muhaxhiri.

E sipas tij kjo gjendje jo edhe aq e lakmueshme në marrëdhëniet SHBA-Kosovë do të rezultojë me cenim të imazhit dhe identiteti shtetërore në njërën anën e me izolim më të thellë të vendit si dhe me rritje të sentimentit antiamerikan në kategori të caktuara të shoqërisë në anën tjetër.

“Çarja e tillë do t’i zmadhojë e çimentojë hendeqet sociopolitike mes racionalistëve dhe populistëve, duke shkaktuar dëmtime traumatike politike”, thotë Muhaxhiri për AP.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore