Aplikacione

DeepMind deshifron, gjen datën dhe vendndodhjen e mbishkrimeve të lashta


Një model i ri i inteligjencës artificiale i krijuar nga njësia e Alphabet-it, DeepMind, ndihmon jo vetëm në rivendosjen e tekstit që mungon në mbishkrimet e lashta greke, por ofron sugjerime për kohën kur është shkruar teksti dhe origjinën e mundshme gjeografike.

“Mbishkrimet janë vërtet të rëndësishme sepse janë burime të drejtpërdrejta të provave të shkruara drejtpërdrejt nga vetë njerëzit e lashtë”, ka thënë Thea Sommerschield, historiane dhe eksperte e mësimit makinerik që ka ndihmuar në krijimin e modelit.

Prej vjetërsisë, këto tekste dëmtohen dhe restaurimi i tyre paraqet një sfidë  shpërblyese.

Shpesh, janë të gdhendura në materiale inorganike si guri ose metali dhe metodat si datimi me radiokarbon nuk mund të përdoren për të zbuluar se kur janë shkruar.

“Për të zgjidhur këto detyra, epigrafët kërkojnë paralele tekstuale dhe kontekstuale në mbishkrime të ngjashme”, ka treguar Sommerschield.

“Sidoqoftë, është vërtet e vështirë për një njeri që të shfrytëzojë të gjitha të dhënat ekzistuese, relevante dhe të zbulojë modelet themelore”, ka shtuar ajo.

Në k[të pikë, vjen në ndihmë inteligjenca artificiale.

Software-i i ri Ithaca është trajnuar në një grup të dhënash prej rreth 78 mijë e 608 mbishkrimesh të lashta greke, ku secila është etiketuar me të dhëna që përshkruajnë se ku dhe kur është shkruar.

Ithaca kërkon modele në këtë informacion, duke e koduar këtë informacion në modele komplekse matematikore dhe përdor këto konkluzione për të sugjeruar tekstin, datën dhe origjinën.

Eleanor Dickey, një profesoreshë e klasikëve nga Universiteti i Reading-ut, ka thënë se Ithaka përbën një “zhvillim emocionues që mund të përmirësojë njohuritë për botën antike”.

Mirëpo, ajo ka shtuar se një saktësi prej 62 për qindësh nuk është shumë e lartë dhe se duhet pasur parasysh se ajo gabon në rreth një të tretën e rasteve.

Gjithashtu ekspertja nuk është e sigurt se si software-i do të përshtatet me metodologjitë ekzistuese akademike.

“Nuk është ende e qartë se deri në çfarë mase përdorimi i këtij mjeti nga korrigjues vërtet të kualifikuar do të rezultonte në një përmirësim në botimet e disponueshme përgjithësisht, por do të jetë interesante të zbulohet”, ka vijuar Dickey.

Kurse Sommerschield ka theksuar se vlera reale e Ithaca-s mund të jetë në fleksibilitetin e saj.

Paçka se është trajnuar për mbishkrimet e lashta greke, mund të konfigurohej lehtësisht për të punuar me shkrime të tjera të lashta.

“Arkitektura e saj e bën me të vërtetë të zbatueshme për çdo gjuhë të lashtë, jo vetëm latinisht. Ka shumë mundësi”, ka shtuar ajo.

 

Marrë nga “The Verge”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore