Shqipëria

Debate për ligjin e basteve sportive në seancën e Komisionit për Ekonominë


Komisioni për Ekonominë dhe Financat ka zhvilluar të mërkurën e 20 shtatorit një seancë dëgjimore të thirrur me grupet e interesit për bastet sportive online.

Mbledhja ka regjistruar debate të ashpra mes deputetit socialist Erion Braçe dhe ish-kryetarit të Shoqatës së Basteve Sportive, Artan Shyti.

Ky i fundit, deklaroi se ligji ka problematika e shtoi se me këtë ligj lojtarët e kanë më mirë të vijojnë në paligjshmëri.

Sipas tij, nisma ligjore do të dështojë nëse nuk rikthehen kompanitë e basteve që ishin më parë.

“Ligji ka problematika që nuk janë marrë parasysh. Me këtë ligj lojtarët e kanë më mirë të vijojnë në paligjshmëri. Në botë ka edhe pika fizike jo vetëm online. Ligji kërkon të deklarohen edhe shumat e vogla, kjo do pengojë edhe turistët të luajnë. Pse të jenë vetëm kompani të huaja, ato do i dërgojnë paratë jashtë. Nëse nuk rikthehen kompanitë që ishin, kjo nismë do të dështojë”, paralajmëroi Shyti.

Përfaqësuesi socialist Erion Braçe, iu përgjigj Shytit se ai nuk duhet të përfaqësojë krimin në këtë komision.

Për Braçen, para vitit 2018 bastet i ka pasur në dorë krimi dhe cilësoi si shantazh kërkesat e përfaqësuesve të Shoqatës së Basteve.

“Këtë aktivitet e ka pasur në dorë krimi. Kjo ka qenë e qartë. Ti nuk duhet të përfaqësosh krimin në komision. Ju kam dëgjuar në çdo komision, po dëgjoj dhe këtu. Po s’u kthyet kompanitë që ishin kjo gjë do të mbetet informale është perceptuar si shantazh i qartë. E dimë mirë se çfarë kemi hequr në 2018. Me telefona e mesazhe duke kërcënuar fëmijë e prindër”, theksoi Braçe.

Deputeti socialist madje pyeti anëtarët e Shoqatës së Basteve Sportive se kush po i drejton në këto momente lojërat.

“Po luhet tani po luhet? Por dini gjë ju se kush po luan? Kush po i luan se ju jeni shoqata e basteve sportive. Këta që e bëjnë sot çfarë janë. U bëmë pjesë e një aktiviteti ilegal. Kush po luan tani. Kush po e bën këtë gjë”, pyeti Braçe.

Ndërtimi i situatës

Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut në Kuvendin e Shqipërisë miratoi dy ditë më parë rikthimin online të lojërave të fatit, pas miratimit të marrë në Komisionin e Ekonomisë.

Me 12 vota pro, tre kundër dhe një abstenim, miratimi në komision u bë vetëm me votat e mazhorancës, pasi opozita votoi kundër.

Autoritetet shqiptare përgatitën më herët projektligjin për rikthimin e basteve sportive online, gjatë të cilit janë zbuluar disa kritere të reja.

Drafti i ri kërkon që të gjithë lojtarët që do të duan të luajnë duhet të regjistrohen me identitetin e tyre në sistemet që do të jenë të disponueshme nga kompanitë e licencuara.

Një tjetër risi lidhur me këta të fundit (kompanitë e licencuara – ed) është se numri i subjekteve do të jetë i kufizuar në rang kombëtar jo më shumë se dhjetë të tilla.

Ndër të tjera, organizatorët do duhet të deklarojnë edhe burimin e parave për financimin e këtij aktiviteti.

Projektligji i lojërave të fatit do të vendosë në role specifike edhe Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).

Ky institucion do të japë vendimin e tij për standardet dhe kushtet teknike të sistemeve të basteve online, një aktivitet që do të zhvillohet përmes programeve software dhe hardware, certifikimin e sistemit, procedurat në lidhje me faturat dhe transaksionet e pagesave, parimet e sigurisë, dhe kushtet e kontrollit apo mbikëqyrjes.

Kriteret e tjera

Në projektligj thuhet se kompanitë që do të licencohen do të jenë të detyruara të lënë si garanci rreth 1.5 milionë euro, një fond prej 120 milionë lekësh për mbrojtjen dhe garancinë ndaj lojtarëve.

Ndër të tjera thuhet se duhet edhe një fond prej 50 milionë lekësh për të garantuar shlyerjen e detyrimeve periodike ndaj AMLF-së, organit tatimor dhe organeve të tjera të shtetit.

Gjithashtu, organizatorët e kategorisë “Baste sportive online” derdhin në llogari të Fondit të Posaçëm masën 15 % të të ardhurave bruto nga loja.

Ligji i ri ndalon edhe publicitetin e lojërave të fatit në median e shkruar dhe atë audio-vizive.

Sipas relacionit që shoqëron projektligjin qëllimi kryesor i kësaj nisme është rikthimi i kategorisë së Basteve Sportive por tashmë vetëm në formën online me qëllim formalizimin tregut të lojërave të fatit për këtë kategori loje, duke licencuar subjekte të cilat kanë eksperiencë në ushtrimin e aktivitetit baste sportive. Përjashtohet prania e pikave fizike të basteve.

Ndërkohë që një tjetër qëllim i rikthimit sipas qeverisë është garantimi i të ardhurave të mbledhura nga aktiviteti i basteve sportive online në mbështetjen direkte në fushën e sportit, kulturës, inovacionit dhe teknologjisë së inovacionit por dhe financimin e programeve të mbrojtjes së lojtarit.

Për sa u përket kritereve të licencimit bëhet me dije se subjekti që do të licencohet duhet të ketë një kapital themeltar jo më pak se 20 milionë lekë.

Kompania duhet të ketë përvojë në fushën e lojërave të fatit ne jo me pak se 3 shtete të BE/OECD dhe për jo më pak se 3 vjet, të ketë kapacitetet e duhura financiare, administruese, organizative dhe besueshmërinë e aplikantit për t’u angazhuar me sukses në projekte të tilla.

Një kriter i veçantë, referuar relacionit është fakti që asnjë prej aksionerëve nuk duhet të kenë qenë të dënuar penalisht, nuk duhet të jenë në proces gjyqësor për vepra penale, nuk duhet të jetë në proces ekzekutimi të detyrueshëm për detyrime pasurore të pashlyera. Subjekti aplikues nuk ka detyrime tatimore të pashlyera.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore