Lajme

DASH: Ndalimet arbitrare të qytetarëve dhe policëve të Kosovës, veprime përshkallëzuese


DASH

Departamenti Amerikan i Shtetit i ka bërë thirrje Serbisë të vetëpërmbahet nga veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuar, derisa kanë theksuar se presin lirimin e menjëhershëm të zëvendësdrejtorit të Policisë së Kosovës, Dejan Jankoviç.

Këto komente, DASH i ka bërë në një përgjigje për “Radio Evropa e Lirë”, ku i kanë bërë thirrje autoriteteve serbe që të veprojnë me transparencë të plotë me ligjin në lidhje me qytetarët kosovarë të ndaluar në kufijtë e Serbisë të mërkurën.

“Ndalimet arbitrare apo padrejtësisht të gjata, posaçërisht nëse cak i tyre janë oficerët e Policisë së Kosovës, do të shihen si veprime përshkallëzuese që dëmtojnë paqen dhe stabilitetin”, ka thënë një zëdhënës i DASH-it për “REL”-in.

Sipas DASH, marrëveshja për lëvizjen e lirë mes Kosovës dhe Serbisë, e arritur më 2011 në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja, “ofron parametra të qarta për hyrjen dhe daljen e qytetarëve kosovarë në dhe jashtë Serbisë”.

“Siç ka theksuar Bashkimi Evropian, vonesat si këto të fundit, përbëjnë shkelje të kësaj marrëveshjeje”, tha DASH.

Departamenti i Shtetit ka potencuar se të gjitha palët duhet t’u shmangen veprimeve që mund ta rrezikojnë sigurinë dhe stabilitetin rajonal.

Ndryshe, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës, Dejan Jankoviç, është dërguar në paraburgim në Serbi për 48 orë, për veprën “prishje të rendit kushtetues”.

Këto komente, Sveçla i ka bërë në një konferencë për media së bashku me kryeministrin Albin Kurti, pas mbledhjes së qeverisë, ku ka theksuar se Jankoviç është dërguar të mërkurën në Rashkë.

“Sipas informatave që kam, ai është dërguar në paraburgim për 48 orë, me akuzën për ‘prishje të rendit Kushtetues’. Akuzë të cilën vetë presidenti Aleksandër Vuçiç e përmendi në adresimin e tij gjatë vizitës në njësitin ‘Kobra’”, ka thënë Sveçla.

“Fakti se zëvendësdrejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës është arrestuar dhe transferuar në Rashkë duhet të jetë alarm për të gjithë. Nuk është vetëm abuzim i rëndë nga ana e Serbisë, por Vuçiç me arrestimin e mbajtjen e Jankoviç-it synon të dërgojë mesazh të qartë të frikësimit për serbët e Kosovës që janë integruar apo donin të integroheshin në Policinë e Kosovës”, shtoi.

Bazuar në informatat që posedon, Sveçla ka njoftuar se ka edhe qytetarë të tjerë të arrestuar, për të cilët ka bërë thirrje për lirim të menjëhershëm të të gjithëve.

“Ngjarjet dje nuk janë thjeshtë çështje e lirisë së lëvizjes dhe shkelje e marrëveshjeve, sepse ato ndodhin në vazhdimësi. Janë shkelje e të drejtave të njeriut, dhe përbën kërcënim të madh për sigurinë e stabilitetin e rajonit. Ndalimi i bazuar në origjinë etnike kombëtare, përbën kërcënim të madh për siguri e stabilitet në rajon”, potencoi.

Nga ana tjetër, kryeministri Kurti, ka thënë se nuk do të kishte arrestime të qytetarëve të Kosovës nga ana e Serbisë, nëse kësaj të fundit do t’i vendoseshin sanksione pas kidnapimit të tre policëve në qershor të vitit të kaluar brenda territorit kosovar, ose pas sulmit terrorist në Banjë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.

“Arrestimet që sot i bënë Serbia nuk do bëheshin nëse do të kishte sanksione. Mungesa e sanksioneve e ka trimëruar atë”, deklaroi kryeministri.

“Uroj që ky trimërim i agresivitetit të Serbisë, që vjen si pasojë e një nervoze të padurueshme të brendshme të saj që rezulton nga sukseset e shtetit tonë, të paraqet një etapë të re, në të cilën do të kuptohet që Kosova është shteti demokratik, Kosova është shteti i së drejtës, që Kosova respekton liritë dhe të drejtat e qytetarëve, ndërsa Serbia praktikisht është shtet mafioz, kur një person lanson fushatë përndjekëse ndaj të gjithë të tjerëve”, shtoi

Ai i bëri thirrje faktorit ndërkombëtar që të gjithë shqiptarët që po mbahen në burgjet e Serbisë, e të cilët janë ndaluar dhe arrestuar atje, “të lirohen menjëherë, gjithashtu e në veçanti zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës, Dejan Jankoviç”.

Sveçla: Zvdrejtori i Policisë është dërguar në paraburgim në Rashkë për “prishje të rendit kushtetues të Serbisë”

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore