Kosova

Daçiç: S’e rishqyrtojmë Asociacionin, ai të formohet sipas Marrëveshjes së Brukselit


Ivica Daçiç

Sipas ministrit të Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiç, Bashkimi Evropian me nënshkrimin e Marrëveshjes së Brukselit është bërë garantuesi kryesor për formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Megjithatë sipas Daçiç në këtë pikë BE-ja nuk po kryen obligimin e saj, përkundrazi unioni po tenton ta rihap këtë çështje për diskutim, pasi Kosova po refuzon ta implementojë Asociacionin.

“Për ne është e papranueshme që të kthehemi në diçka që është nënshkruar e rënë dakord vetëm sepse Brukseli e ShBA-ja nuk po mund ta bindin Albin Kurti i cili po heziton ta përmbush detyrimin që ka. Ne nuk do të biem në atë kurth”, ka thënë Daçiç në një intervistë për gazetën serbe Veçernji Novosti.

Kosova është kategorikisht kundër implementimit të Asociacionit në baza etnike.

Këtë së fundmi ka ripërsëritur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për mediumin gjerman, DW.

Për Kurti, propozimi franko-gjerman për dialogun Kosovë-Serbi, i cili dinamizoi së fundmi procesin e bisedimeve parasheh gjithashtu edhe diskutime rreth të drejtave të pakicave, për çka shefi i ekzekutivit mendon se Beogradi në këtë pikë mund të shprehë kërkesën e tij për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, e cila është një formë për të adresuar çështjen e pakicës serbe.

“Kosova ka një kushtetutë shumë demokratike dhe progressive. Kapitulli i tretë, nga Nenet 57-62, parashikojnë një gamë të gjerë të drejtash për pakicat në Kosovë. Unë nuk e kundërshtoj Asociacionin e komunave. Aktualisht, Kosova ka një asociacion komunash, 38 në total. Por, unë nuk mund ta pranoj asociacionin mbi bazat e identitetit etnik. Politika mbi bazat etnike nuk është e mundshme. Pra s’mund të krijohet një asociacion mbi baza etnike, sepse kjo bie në kundërshtim me Kushtetutën tonë. Ky fakt është gjithashtu i konfirmuar nga një vendim i Gjykatës Kushtetuese tonës në dhjetor 2016”, ka thënë Kurti në një intervistë për DW.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore