Lajme

Daçiç: Kosova mund të anëtarësohet në Këshill të Evropës përmes një procedure urgjente


Ivica Daçiç

Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiç, duke komentuar mbi procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës, tha se pret që kërkesa e Kosovës për t’u bërë pjesë e institucionit më të rëndësishëm evropian do të kalojë Asamblenë Parlamentare në prill, ndërsa Këshilli i Ministrave pritet ta miratojë kërkesën pas një procesdure urgjente.

“Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës ndoshta do t’i bëjë një rekomandim Këshillit të Ministrave. Mund të pritet që Kosova të anëtarësohet në Këshill të Evropës pas një procedure urgjente”, tha kryediplomati serb, duke pasur parasysh se me kërkesë të Këshillit të Ministrave, mund të zhvillohet një debat urgjent për një pikë të caktuar.

Kosova aplikoi për anëtarësim në Këshill të Evropës në maj të vitit 2022, por mos zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit ishte bërë pengesë që vendi i vogël ballkanik të vazhdojë rrugëtimin drejt anëtarësimit të plotë, posaçërisht sepse të drejtat e njeriut dhe sundimi i ligjit janë dy vlerat themelore mbi të cilat bazohet panteoni i kombeve evropiane.

Do të duhen 2/3 e votave e Asamblesë Parlamentare, ku marrin pjesë deputetët nga parlamentet e shteteve anëtare, për t’i rekomanduar Këshillit të Ministrave që ta ftojë Kosovën të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës. Kjo, nëse gjithçka shkon sipas planit, pritet të ndodhë gjatë samitit të Këshillit të Evropës që mbahet në mes të majit në Islandë nën kryesimin e këtij shteti.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore