Lajme

Çudi në Florida – Një burrë “i jep një mësim” aligatorit


Një burrë nga Florida ndodhet në paraburgim sepse akuzohet se është përpjekur për të hedhur një aligator të gjallë mbi çatinë e një ndërtese.

William Hodge, 32 vjeç, u arrestua rreth orës 3 të mëngjesit dhe, sipas shënimeve të çështjes së tij gjyqësore, u akuzua për posedim dhe plagosje të një aligatori, vjedhje të një banese të pabanuar, shkatërrime prone dhe disa vjedhje të tjera të vogla.

“E pyeta William Hodge se çfarë po bënte që po hidhte aligatorin në ajër. William Hodge tha që ai ishte ‘duke i dhënë një mësim’”, tha oficeri i policisë në Daytona Beach, Molly Billue.

Hodge dyshohet se kërceu gardhin e “Congo River Golf”, një fushë golfi në zonë dhe vodhi aligatorin, i cili gjendej brenda një kafazi.

Ai më pas dyshohet se e çoi aligatorin në një lokal, e kapi atë nga bishti dhe u përpoq ta hidhte në çati.

Pasi goditi vetëm tendën e lokalit, ai e kapi atë përsëri për bishti, e vuri mbi supe, e përplasi për tokë dhe i hipi sipër dy herë me këmbë, tha policia.

Kur oficerët panë ngjarjen dhe thirrën Hodge, ai e uli krijesën dhe ngriti duart, duke u dorëzuar.

Billue transportoi Hodge në burgun e qytetit për sigurinë publike.

Ndërsa ishte në qeli, Hodge dyshohet se ka mbledhur letër higjienike për t’i hedhur në tualet, më qëllim që të bllokohen tubat dhe të përmbytet stacioni i policisë, tha Billue.

Policia kontaktoi George King, pronarin e “Congo River Golf”, i cili erdhi për të marrë aligatorin nga stacioni. Aligatori, tha King, vlen 300 dollarë.

Aligatori është gjallë, por është e paqartë nëse ka pësuar ndonjë lëndim gjatë sulmit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore