Lajme

Chollet emërohet Nënsekretar në Departamentin e Mbrojtjes


Derek Chollet

Top-diplomati amerikan, Derek Chollet, nuk do të ushtrojë më funksionin e këshilltarit special në Departamenin e Shtetit, pasi i njëjti është emëruar në pozitën e nënsekretarit të Departamentit të Mbrojtjes të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Sekretari i Shtetit, Antony Blinken, nëpërmjet një cicërime në llogarinë e tij në “Twitter”, ka thënë se Chollet është “bërthama” e diplomacisë amerikane, ndërsa ka shtuar se Departamentit të Mbrojtjes po i shtohet edhe një vlerë, pavarësisht largimit nga ekipi i tij.

“Urime mikut tim me rastin e emërimit të tij për të shërbyer si Nënsekretar i Departamentit të Mbrojtjes. Ai është një nga anëtarët kryesor të ekipit tim drejtues. Me konfirmimin e tij, humbja jonë do të jetë vlerë për Departamentin e Mbrojtjes dhe kombi ynë do të vazhdojë të përfitojë nga shërbimi i tij i përkushtuar”.

Chollet nga ana tjetër ka thënë se ka qenë nderi më i madh për t’i shërbyer popullit amerikan së bashku me sekretarin Blinken dhe ekipin e Departamentit të Shtetit, ndërsa është shprehur padurimin e tij derisa të marrë konfirmimin nga Senati i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Jam i përulur nga mundësia për t’u kthyer në Departamentin e Mbrojtjes dhe të punojë me Sekretarin e Mbrojtjes për sigurinë e kombit tonë. Mezi pres të punoj me senatin për konfirmimin tim”, ka shkruar Chollet në llogarinë e tij në rrjetin social.

E në një periudhë përpjekjesh për ripërtëritjen e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë dhe arritjen e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve, top-diplomati amerikan lujti një rol mjaft të rëndësishëm, së bashku me Emisarin Special për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Chollet në vizitën e tij njëditore në Prishtinë, kishte folur edhe për lidhjen e veçantë personale me Kosovën, duke kujtuar kështu punën me kolosë të diplomacisë amerikane gjatë administratës së presidentit Bill Clinton – James Baker, Strobe Talbott dhe Richard Holbrooke.

Nëse ktheheni pas në kohë dhe shikoni ngjarjet kryesore diplomatike që karakterizuan tridhjetë vitet e fundit në rajonin e Ballkanit Perëndimor, diplomati amerikan i ka përjetuar të gjitha – ai ka ndihmuar në formësimin e politikës së jashtme amerikane.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore