Lajme

Chollet dhe Escobar në Senat për “Politikat e SHBA-ve ndaj Ballkanit Perëndimor”


Këshilltari i Departamentit të Shtetit, Derek Chollet dhe i dërguari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, këtë të enjte do të dalin para Senatit.

Me fillim nga ora 10:30, sipas llogaritjes së orës në SHBA, do të diskutohet për “Vlerësimin e politikës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Ballkanit Perëndimor”, thuhet në njoftimin publik të senatit.

Një ditë më parë, Drek Chollet bëri të ditur se bisedoi përmes telefonit me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, lidhur me procesin e dialogut Kosovë-Serbi, situatën aktuale dhe “nevojën e shmangies së provokimeve dhe konfliktit” në Kosovë.

Chollet dhe Vuçiç, sipas raportimeve të mediave serbe, kanë biseduar për situatën aktuale në Kosovë, për çka diplomati amerikan citohet të ketë thënë se është e nevojshme “të shmangen provokimet dhe konfliktet” dhe të vazhdohet dialogu nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve.

“Këshilltari Chollet tha se është e nevojshme të shmangen provokimet dhe konfliktet, si dhe është e rëndësishme të vazhdohet puna për normalizimin, duke mbështetur dialogun e Brukselit. Presidenti Vuçiç theksoi se Serbia mbetet e përkushtuar ndaj politikës së paqes dhe bashkëpunimit në rajon”.

Në një periudhë përpjekjesh për ripërtëritjen e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë dhe gjetjen e një rruge për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, diplomati amerikan ka qenë tejet i angazhuar për t’i shtyrë palët drejt një “kompromisi”.

Situata në pjesën veriore të Kosovës – pjesë e banuar kryesisht me serbë etnikë – pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme në katër komunat veriore – Leposaviq, Zveqan, Zubin Potok dhe Mitrovicë e Veriut – mund të përshkallëzohet sërish, kanë paralajmëruar zyrtarët e BE-së.

Perëndimi gjithashtu po insiston se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe është prioriteti më i madh në rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi. BE-ja dhe SHBA-të, me gjithë mospajtimet lidhur me këtë çështje, kanë deklaruar se ky mekanizëm do të bëhet.

Kur shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, ka njoftuar përmes “Twitter”-it se Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje, pas një dite të gjatë bisedimesh, më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut, shumë njerëz e kanë marrë atë si të mirëqenë.

Kjo marrëveshje nuk e përfshinë njohjen reciproke mes të dy vendeve, por kërkon nga të dyja që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat, targat e veturave dhe vulat doganore.

Megjithatë, gjatë ditëve të fundit janë djegur disa vetura në komunat e banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës. Disa prej veturave ishin me targa të Kosovës, ndërsa disa tjera me targa të Serbisë, prandaj ekspertët po vlerësojnë se tensionet mund të rikthehen sërish në këtë pjesë. Marrëveshja e Ohrit kërkon nga palët, ndër të tjera, që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, përfshirë edhe atë për formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore