Shqipëria

Çfarë pritet të ndodhë sot në Kuvendin e PD-së? – Kaso jep detaje për Albanian Post


Anëtar i Komisionit të Rithemelimit, Ivi Kaso

Komisioni i ashtuquajtur i Rithemelimit, me në krye ish-liderin e Partisë Demokratike (PD), Sali Berisha, do të mbajë më 30 prill, Kuvendin e PD-së.

Por, gjatë këtyre ditëve ka pasur replika e kundër-replika ndërmjet anëtarëve të partisë, mes atyre që janë pozicionuar si anëtarë të Komisionit të Rithemelimit dhe PD-së zyrtare.

Kështu, kreu i Grupit Parlamentar, Enkelejd Alibeaj, të cilin Berisha nuk e njeh si të tillë me dakordësi të shumicës së grupit, ka shpalosur platformën me disa pika për bashkimin e demokratëve.

Nga ana tjetër, Rithemelimi ka mbajtur zgjedhjet për kryetarë degësh, në të gjitha bashkitë e vendit, si hapi i parë për të vijuar me Kuvendin.

Çfarë pritet të ndodhë sot?

Anëtari i Komisionit të Rithemelimit, Ivi Kaso, për Albanian Post ka treguar detaje rreth asaj që pritet të ndodhë në këtë Kuvend.

Teksa “shpalosi” programin e ditës, ai deklaroi se në këtë Kuvend do të zgjidhet Këshilli i ri Kombëtar i Partisë Demokratike.

Gjithashtu, sipas Kasos, pritet që të miratohen ndryshimet në statut dhe përcaktimi i një date për mbajtjen e zgjedhjeve për kryetarin e ri të partisë.

“Do të kërkojë një vendimmarrje specifike të Kuvendit Kombëtar, që do të duhet të marrë vendimet përkatëse jo vetëm për përcaktimin e një date për zgjedhjen e kryetarit të ri të partisë, por edhe parashikimet statutore, sipas të cilave kryetari zgjidhet sipas parimit një anëtar një votë”.

Lidhur me këtë, të enjten e 28 prillit, Berisha përmes një deklarate për shtyp bëri me dije se 21 ose 22 maji do të jenë datat, të cilat do t’i propozohen Kuvendit të 30 prillit për zgjedhjen e kreut të Partisë Demokratike.

Ish-kryeministri, Sali Berisha

Kaso në diskursin e tij ka theksuar se të ftuar për të marrë pjesë në Kuvend janë edhe deputetët që nuk janë pjesë e Komisionit të Rithemelimit.

“Informacioni lidhur me mbajtjen e Kuvendit u është drejtuar të gjithë demokratëve, veçanërisht deputetëve që kanë ushtruar dhe vazhdojnë të ushtrojnë përgjegjësi politike”.

Këtë e ka përsëritur disa herë vetë ish-kryetari Berisha.

“Të gjithë ata që, për një motiv janë të larguar, janë të mirëpritur për të ardhur”.

Prej disa ditësh, ndërkaq, në strukturat vendore në PD po zhvillohen zgjedhje për kryetarët e degëve, pavarësisht se nga një pjesë e bazës ato janë kontestuar dhe janë vënë në diskutim.

Mirëpo, në bazë ligjore, Gjykata e Tiranës i ka dhënë të drejtë Komisionit të Rithemelimit dhe Kuvendit të 11 dhjetorit të thirrur nga Berisha, me ndryshimet statutore që janë kryer gjatë punimeve.

Komisioni i Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale të Partisë Demokratike publikoi të enjten e 28 prillit gjetjet e procesit të votimit dhe zgjedhjeve për kryetarët e degëve që ka zhvilluar Komisioni i Rithemelimit.

Anëtarja e këtij të fundit, Albana Vokshi, tha se ka qenë pjesëmarrja më e madhe edhe se më 13 qershor, referuar datës për zgjedhjen e kryetarit të PD-së.

“Ka qenë interesi shumë i lartë i demokratëve për të qenë pjesëmarrës qoftë me përzgjedhjen, zgjedhjen e kryetarëve në gjithë nivelet, hierarkinë e PD në gjithë degët. Në shumë raste në gjithë degët është kërkuar shtyrje e afatit për mbylljen e procesit për shkak të interesit të lartë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore