Lajme

Çfarë do të shohë OKB-ja në Xinjiang të Kinës?


Michelle Bachelet, komisionerja e lartë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut, ka mbërritur në Kinë.

Ajo po shkon drejt Xinjiang-ut, gati katër vjet pasi njoftoi synimin e vet për të vizituar vendin mes shqetësimeve për abuzime serioze të të drejtave të njeriut në rajonin veriperëndimor.

Vizita e vonuar e Bachelet në Xinjiang është një mundësi kritike për të trajtuar shkeljet e të drejtave të njeriut në rajon.

Po ashtu do të jetë një betejë kundër përpjekjeve të qeverisë kineze për të mbuluar të vërtetën.

Shefja e OKB-së për të drejtat e njeriut ka thënë fillimisht se dëshironte të vizitonte Xinjiang-un me akses “kuptimplotë dhe të papenguar” në shtator 2018, menjëherë pasi Komiteti i OKB-së për Eliminimin e Diskriminimit Racor publikoi një raport novator mbi kushtet e atjeshme.

Grupi zbuloi se mbi një milion ujgurë dhe pakica të tjera etnike ishin arrestuar në “kampe kundër ekstremizmit”, duke vënë një vulë të besueshmërisë ndërkombëtare në raportet dhe informacionin e shpërndarë nga grupet e të drejtave.

Më shumë se 400 faqe dokumentesh qeveritare të zbuluara nga Kina shfaqën më tej shtrirjen e goditjes në vitin 2019.

Shumë organe të tjera të OKB-së dhe grupe të të drejtave, prej asaj kohe, kanë nxjerrë gjetjet e tyre bazuar në dëshminë e vet ujgurëve.

Kurse Kongresi Botëror Ujgur mbajti një gjykatë të pavarur në Mbretërinë e Bashkuar që hetonte krimet e mundshme kundër njerëzimit dhe vendosi që Pekini ishte fajtor për gjenocid.

Michelle Bachelet, komisionerja e lartë e OKB-së

Sipas ujgurëve, ata janë përballur me një sërë krimesh nga rrahjet dhe dhuna, deri te sterilizimi i detyruar dhe poshtërimet të tilla si të detyruar të hanë mish derri.

Gjithashtu besohet gjerësisht se janë viktima të punës së detyruar në industrinë masive të pambukut në Xinjiang, e cila ka krijuar një makth të marrëdhënieve me publikun për markat globale të detyruara të zgjedhin midis bazës së tyre të klientëve kinezë dhe zemërimit perëndimor.

Udhëtimi gjashtëditor i Bachelet, pritet të jetë i rregulluar fort dhe një “fasadë e koreografisë”, ka thënë William Nee, koordinator i kërkimit te një organizatë.

“Është shumë e paqartë se çfarë është në gjendje të arrijë ajo, duke pasur parasysh atë që ne e dimë se qeveria do të bëjë atje”, ka shtuar ai.

Zakonisht, videot propagandistike të Xinjiang-ut tregojnë ujgurët, duke festuar ngjarje fetare dhe shpesh duke kënduar e kërcyer në një shfaqje të inskenuar.

Bachelet pritet të ndeshet me një shfaqje të ngjashme dhe ndoshta do të ndalohet të udhëtojë në mënyrë të pavarur në Xinjiang ose të flasë lirisht me banorët.

Rayhan Asat, një avokate ujgure për të drejtat e njeriut, vëllai i së cilës Ekpar Asat është arrestuar në Xinjiang, ka thënë se Bachelet “do të përshëndetet nga ujgurët e mbikëqyrur, të detyruar të buzëqeshin dhe të tregojnë gjysmë të vërteta se si qeveria ka ndihmuar në rikualifikimin e tyre”.

“Kjo u bë e qartë kur qeveria kineze njoftoi se si parakusht për këtë udhëtim, vizita duhet të jetë miqësore dhe jo e inkuadruar si një hetim”, ka vijuar ajo.

Sakaq, qarkullojnë disa spekulime se udhëtimi i Bachelet mund të jetë rezultat i një marrëveshjeje quid pro quo me Kinën.

Ajo, shtatorin e kaluar, tha se zyra e saj po finalizonte një hetim në Xinjiang, por nxjerrja e tij është vonuar për më shumë se gjashtë muaj.

Hetimi do të ishte i pari i këtij lloji i lëshuar nga OHCHR, por Kina thuhet se nuk donte që ai të publikohej deri pas përfundimit të Lojërave Olimpike Dimërore, të cilat u zhvilluan në Pekin në fillim të këtij viti.

Rayhan është e shqetësuar se kjo marrëveshje mund të komprometonte punën e OKB-së në Xinjiang.

Marrë nga “Aljazeera”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore