Lajme

Çfarë dinte Opozita dhe çfarë fsheh pushteti? – Përse LVV nuk votoi themelimin e komisionit hetimor për energjinë elektrike dhe çfarë lidhje ka kjo me skandalin në Slloveni?


MB Consulting është kompania malazeze me pronar ambasadorin e Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.

Kjo kompani, shkruajnë mediat sllovene, ishte e angazhuar për konsulencë nga kompania energjetike ballkanike me degë në Serbi, GEN-I.

Shërbimi kryesor që MB Consulting me veç një punëtor të regjistruar – vetëm Martin Berishajn – i jepte kompanisë GEN-I, ishte konsulenca dhe përfaqësimi “në shitjen me shumicë të energjisë elektrike në tregun e Kosovës dhe Shqipërisë”.

Pra, ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, respektivisht kompania e tij, është përfaqësuese e degës serbe të kompanisë GEN-I në Kosovë dhe në Shqipëri, sipas publikimeve në mediat sllovene.

Nuk dihet ende nëse e njëjta kompani i ka shitur rrymë KEDS-it në kohën e krizës energjetike me paratë e subvencionuara nga Qeveria e Kosovës. AP ka provuar të kontaktojë me kompaninë, por askush nuk është përgjigjur në numrin e telefonit të publikuar në faqe të kompanisë. As nga KEDS nuk janë përgjigjur për rastin, kur janë kontaktuar nga Albanian Post.

Ajo që dihet, nga burime të Albanian Post brenda opozitës në Kosovë, është se pikërisht këto dyshime kanë bërë që të kërkojnë një hetim parlamentar për energjinë elektrike të blerë gjatë asaj kohe.

Kjo ishte edhe arsyeja që në seancën e 19 prillit, opozita, për herë të parë e bashkuar, thanë se nuk do të votojnë asnjë ligj, derisa pushteti të mos e votojë themelimin e një komisioni hetimor për çështjen e energjisë.

Por, Lëvizja Vetëvendosje, partia në pushtet, është shprehur kategorikisht kundër themelimit të këtij komisioni.

Derisa nga qeveria nuk ishin deklaruar, Shefja e Grupit Parlamentar, Mimoza Kusari-Lila, u shpreh, në një deklaratë krejt absurde, se nuk bën të formohet komison hetimor për energjinë, tash kur Ukraina është në luftë me Rusinë.

Parlamenti i Kosoves

Memli Krasniqi, Qeverisë: Çfarë krimesh jeni duke mbrojtur?

Mos mbështetjen e Lëvizjes Vetëvendosje për miratimin e komisionit hetimor parlamentar për çështjen e krizës energjetike, Partia Demokratike e Kosovës e pati cilësuar si shkelje brutale e së drejtës kushtetuese për hetim parlamentar për të mbikëqyrë punën e qeverisë dhe institucioneve nga ana e Kuvendit.

“Kurti përmes deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje për herë të dytë e ka bllokuar themelimin e komisionit hetimor parlamentar në lidhje me krizën energjetike në vend duke shkelur hapur ligjin dhe kushtetutën, që gjë fatkeqësisht është bërë edhe traditë e veprimit të kësaj qeverie”, kishte thënë në një konferencë për media Kryetari i PDK-së Memli Krasniqi.

Arroganca e numrave të pushtetit sipas Krasniqit nuk do të mund që ta mbajë të fshehur të vërtetën e çështjes së krizës energjetike, e cila duhet të dalë në dritë.

“Çfarë shkeljesh e çfarë krimesh potenciale janë duke i mbrojtur me këtë insistim kundër hetimit parlamentar, pse Kryeministri po e pengon hetimin e rastit të faljes së mbi 100 milionë eurove taksa qytetarëve për KEDS-in, pastaj hetimin e rritjes së paligjshme të tarifave të energjisë elektrike nga ana e ZRRE-së”.

Për të kuptuar detaje rreth skandalit financiar në Slloveni dhe lidhjen e ambasadorit Martin Berishaj klikoni KËTU.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore