Shqipëria

Çështja “CEZ- DIA”/ Socialistët kërkojnë informacion nga SPAK për fazat e hetimeve


Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste (PS), Taulant Balla, të premten e 18 shkurt, ka kërkuar nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) informacion të detajuar për hetimet e çështjes së privatizimit të kompanisë České Energetické Závody (CEZ).

Socialistët, më herët, kanë depozituar kallëzimin për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” në bashkëpunim, “Falsifikim të dokumenteve”, “Pastrim të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Korrupsionit aktiv/ pasiv në sektorin privat”.

Kjo kundrejt ish-kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, ish-ministrit të Mbrojtjes, Arben Imami, dhe anëtarëve të tjerë të Këshillit të Ministrave të vitit 2005-2013, drejtues të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë dhe aksionerit të kompanisë “Homeplan” shpk.- dhëndri i Berishës- Jamarber Malltezi.

Si dhe ndaj anëtarëve të tjerë të Komisionit të Kthim Kompensimit të Pronave, anëtarëve të Komisionit të Vlerësimit, zyrtarëve të Drejtorisë së Administrimit dhe të shitjes së pronave publike në funksion, në vitin 2008.

Komisioni hetimor për privatizimin e CEZ i kërkonte prokurorisë që të marrë të pandehur ish-kryeministrin Sali Berisha dhe djalin e tij, Shkëlzen Berisha, si persona përgjegjës për privatizimin abuziv të OSSH, me akuzën se u ka shkaktuar taksapaguesve shqiptarë 415 milionë euro dëm ekonomik.

Në janar të vitit 2013, vendi ynë ka pasur mosmarrëveshje me këtë kompani, e cila përfundoi me heqjen e licencën së kësaj kompanie CEZ, për të operuar në Shqipëri.

Më pas, në qershor të 2014-s, të dyja palët vendosën ta zgjidhnin këtë mosmarrëveshje.

Shqipëria do t’i paguajë CEZ-it 100 milionë euro deri në vitin 2018, me këste vjetore, një shumë afërsisht e barabartë me investimin fillestar të CEZ-it.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore