Shqipëria

Çela raporton në KLP: Kemi mungesë prokurorësh, mbi 2400 subjekte të përgjuara


Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, ka raportuar në Këshillin e Lartë Të Prokurorisë, ku theksoi se viti që lamë pas ishte një vit mjaft sfidues për prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm.

Kjo për shkak të çështjeve administrative dhe procedurale që lidheshin me zbatimin e hartës së re gjyqësore dhe vijimit të uljes së numrit të prokurorëve si pasojë e pezullimit apo shkarkimit gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar.

Megjithatë, Çela theksoi se përpjekjet dhe profesionalizmi i prokurorëve në të gjithë nivelet pavarësisht ngarkesës, dhe bashkëpunimi institucional dhe ndërinstitucional, dhanë rezultate në punën hetimore dhe zbatimin e rekomandimeve drejtuar prokurorive.

Në fjalën e tij, drejtuesi i Prokurorisë u ndal te numri i prokurorëve, i cili në vitin 2023 kanë qenë 198 (përfshirë dhe emërimet në korrik të 26 magjistratëve të rinj).

Sipas Çelës, ky tregues evidenton strukturën faktike me 62 % të prokurorëve kundrejt numrit organik prej 321 prokurorësh dhe mungesën e 38 % të numrit të prokurorëve.

“Në këtë vështrim, gjendja e numrit faktik të prokurorëve sipas niveleve të prokurorive ka qenë: – 177 prokurorë në prokuroritë pranë gjykatave të shkallës së parë, ose 101 prokurorë më pak krahasuar me numrin organik (64 % e strukturës organike); 10 prokurorë në prokurorinë pranë Gjykatës të Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm ose 16 prokuror më pak krahasuar me numrin organik (38 % e strukturës organike) dhe 11 prokurorë në Prokurorinë e Përgjithshme ose 6 prokurorë më pak se numri organik (65 % e strukturës organike)”.

Më tej, në fjalën e tij kryeprokurori theksoi se gjatë vitit 2023 është përdorur përgjimi i komunikimeve elektronike nga prokurorët në fazën e hetimeve paraprake si mjet për sigurimin e provës në 514 procedime penale.

“Është realizuar përgjimi për 2675 pajisje fundore në përdorim të 2492 subjekteve ndaj të cilëve ishte lejuar përgjimi. Në total janë ekzekutuar 1121 vendime për përgjim të autorizuara nga gjykata dhe 456 urdhra/autorizime të prokurorit”.

Sa i takon kallëzimeve, Çela tha se në vitin 2023 janë trajtuar 55 mijë e 253 kallëzime, 9.4% më pak se në 2022.

“Janë ndjekur gjithsej 45 mijë e 715 procedime penale, që përbëjnë një ulje prej 5,2 % në krahasim me vitin 2022, nga të cilat 24 mijë e 95 janë procedime penale të regjistruara, me një ulje  prej 6,2 % në krahasim me vitin 2022 dhe 201 procedime penale të rifilluara, që tregon ulje prej 70 % në krahasim me vitin 2022”.

Gjithashtu janë mbartur 21 mijë e 11 procedime penale me një ulje prej 3,9 % krahasuar me procedimet e mbartura në vitin 2022.

“Është vendosur mosfillimi për 9 mijë e 946  referime dhe kallëzime penale, që do të thotë një ulje prej 22,2 % në krahasim me vitin 2022”.

Çela u shpreh se Prokuroria e Përgjithshme e ka konsideruar digjitalizimin thelbësor për rritjen e eficiencës së punës, ngritjen dhe funksionimin e sistemit të menaxhimit të çështjes.

Për këtë qëllim, me urdhrin e Prokurorit të Përgjithshëm u ngrit grupi i punës për përgatitjen e dokumentacionit përkatës për krijimin e sistemit të ri të menaxhimit të çështjes.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore