Kosova

Çeku: Renovimi i shtëpisë së Xhafer Devës ishte përzgjedhur edhe nga ndërkombëtarët


Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, është shprehur i vendosur për restaurimin e shtëpisë së Xhafer Devës në Mitrovicë, përkundur reagimeve të shumta për këtë çështje, duke u shprehur i habitur se si krejt papritur kjo temë u shndërrua në “çështje shqetësuese”.

Çeku ka potencuar se është i befasuar edhe me reagimin Ambasadorit të Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rhode, pasi ky i fundit shkroi se Xhafer Deva ishte “një bashkëpunuesi/protagonisti të njohur me nazistët i grupit famëkeq SS Skanderbeg”, dhe se nuk duhet të “shpërlahet historia”.

Sipas tij, përzgjedhja e këtyre monumenteve është bërë në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë.

“Askush nuk është kundër fakteve historike, ato duhen thënë zëshëm dhe pa asnjë rezervë, para se gjithash nga profesionistët. Mirëpo, kundërshtimi i restaurimit duke u thirrur në narracionin historik është në kundërshtim me konventat botërore dhe praktikat e përparuara europiane për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore”, shkroi në Facebook Çeku.

Shtëpia e Xhafer Devës në Mitrovicë

“Është ndërtuar në vitin 1930 dhe në Listën e Trashëgimisë Kulturore figuron si “Shtëpia e Xhafer Devës” edhe pse kryesisht ka pasur përdorim publik, përfshi si shtëpi shëndeti. Prandaj nuk është e thënë që duhet ta mbajë këtë emër me çdo kusht”, ka shtuar Çeku.

“Për vite me radhë ka qenë cak i grupeve të caktuara të interesit, përveç që i është vënë flaka, ndërtime të reja shumëkatëshe e kanë ngufatur nga të gjitha anët. Emri që mban monumenti është shënjuesi më i parëndësishëm krahasuar me funksionet publike dhe vlerat që përfaqëson kjo ndërtesë për qytetin dhe qytetarët”.

Ai ka theksuar se “detyra jonë është t’i mbrojmë monumentet tona”.

“Ministria e Kulturës është duke investuar në gjithë trashëgiminë tonë kulturore, pa dallim, përfshi xhami e monumente islame, kisha ortodokse, kisha katolike, shtëpi tradicionale, lokalitete arkeologjike, trashëgimi shpirtërore, muze, ndërtesa publike dhe të tjera”.

“Dhe për fund, duhet thënë hapur që ndihma e shteteve mike të Kosovës në betejën tonë për ta shpëtuar trashëgiminë kulturore është jetike. Prandaj, u bëj thirrje që sikurse në të kaluarën, të na qëndrojnë pranë edhe më tej”, ka përfunduar Çeku.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore